
Mbrëmjen e djeshme kryeministri Edi Rama ka reaguar sa u takon kërkesave të bëra nga ish eksponentët politikë brenda kampit rozë për pamjet filmike në KQZ me pretendimin se u janë vjedhur. Pas thirrjes së Ramës se PS-ja është një skuadër, 2 nga 5 kandidatët të cilën mbetën jashtë listave në Parlament, Xhemal Qefalia dhe Etilda Gjonaj kanë tërhequr kërkesën e tyre në KQZ.
“Kam marrë njoftim me trishtim për disa iniciativa individuale, për të kërkuar filmime, rinumërime e ku di unë çfarë tjetër për votën preferenciale!
Natyrisht që s’mund të ndaloj askënd të veprojë me kokën e vet, por, duke qenë se këtu në këtë dritare jemi ende një skuadër – dhe unë dua që kështu të mbetemi – do të këshilloja që të mos i hyhet asaj rruge. Sepse, së pari, humbja e një gare s’duhet të bëhet shkak për të humbur edhe fytyrën, kur në fakt nuk ka asnjë shans, zero, që me gjithë ata sy mbi ekrane, të ketë devijime vote në përmasa që do ta mbushnin hendekun e kujtdoqoftë me ata që kanë dalë fitues – jo me 10 a 20, por me shumë më tepër vota diferencë nga pasuesit në klasifikim.
Së dyti, kjo do të thotë të hidhet hije mbi njerëzit tanë, që kanë qëndruar pafundësisht nëpër tryeza numërimi, e që nuk e meritojnë kurrkund një hije të tillë dyshimi për kontributin e tyre të madh. E së fundi, përfytyrojeni vetë se sa keq do të ndjehet kushdo që do t’i hyjë kësaj rruge, duke ushqyer qenerinë mediatike, kur në fund, mali i mbarsur mund të mos pjellë as një mi!".- u shpreh Ram ditën e djeshme.
Aktualisht janë edhe 3 kandidatë të cilët ende nuk e kanë tërhequr kërkesën e tyre, përfshirë këtu edhe Blerina Gjylmeti. Ndërkohë pak më parë foli edhe kreu Drejtuesi politik i Partisë Socialiste për Diasporën, Taulant Balla i cili u shpreh se transparencën e bën KQZ-ja. Versus.al







