Drejtuesi politik i Partisë Socialiste për Diasporën, Taulant Balla, ka folur sa i takon ankimimeve nga kampi rozë i disa kandidatëve që mbetën jashtë parlamentit. Balla u shpreh se secili ka të drejtë për të kërkuar por transparencën e bën KQZ-ja.
“Secili ka të drejtë për të kërkuar, për të bërë transparencë, por falë parashikimeve të vendosura në Kodin Zgjedhor, por është KQZ që do të bëjë transparencë të këtij procesi. Të gjitha palët që kanë pretendime, ka një mënyrë sesi bëhen këto. Kodi zgjedhor parashikon që partitë politike mund të bëjnë ankesë. Transparencën, më mirë se sa e ka bërë KQZ, nuk e bën dot askush”, tha Balla.
Kujtojmë se ishte ish deputetja e PS-së, Blerina Gjylameti e cila ditën e djeshme pas garës me Xhaçkën mbeti jashtë parlamentit. Gjylameti kërkoi ditën e djeshme në KQZ pamjet filmike pasi pretendonte se i janë vjedhur votat. Të njëtën kërkesë e bënë edhe eksponentë të tjerë në PD, si dhe subjekti politik i Djathtas 1912 nga Alibeaj. Ditën e djeshme reagoi edhe kryeministri Rama i cili shigjetoi pikërisht këtë sjelljë të Gjylametit (ndonëse jo drejtpërdrejtë), duke u shprehur se sjellje të tilla nxisin vetëm konsum mediatik. Versus.al







