Kryeministri Edi Rama ka prezantuar sot platformën e re online “Transparent Albania’ e cila sipas tij do të lehtësojë aksesin e qytetarëve në informacionet sa i përket transparencës buxhetore.
Sipas tij, qytetarëve do t’u ofrohet informacion në kohë reale dhe pa vonesa.
"Nuk bëhet fjalë për një faqe të re apo më shumë në internet për informimi publik. Por për një instrument të ri. Platformë të re, urë të re lidhëse. Mes qeverisë dhe qytetarëve, për të garantuar një shpejtësi shumë më të madhe dhe një gjerësi shumë më të madhe në marrëdhënien e qytetarit me informacionin nga aktiviteti i përditshëm i qeverisë"- tha Rama.
Më tej shtoi se me anë të kësaj platforme, shqiptarët mund të ndjekin në kohë reale shpenzimet e qeverisë shqiptare në projekte të ndryshme, duke shtuar kështu transparencën për menaxhimin e fondeve publike.
“Kjo platformë shkon në përputhje me ambicien tonë për ta bërë Shqipërinë një vend të denjë europian në aspektin e standardeve të një shteti europian të së drejtës. Mundësi e re për të krijuar një bazë shumë më të gjerë informacion në kohë reale edhe për të gjithë punonjësit e informacionit, për të gjitha mediat. Besoj është një platformë që ka edhe një vlerë të veçantë në kohën ku jetojmë, ku fluksi i pavërtetave gjysëm vërtetave, dezinformimit dhe shpejtësia e shpërndarjes së informacioni të paverifikuar vetëm rriten. Është një fenomen global nga i cili ne nuk bëjmë asnjë dallim. Një platformë që do u mundësojë të gjithëve të ndjekin në kohë reale shpenzimet e qeverisë shqiptare"- u shpreh kryeministri.
Sipas tij, platforma e cila do të hidhet për konsultim, do të ketë edhe informacione të përditësuara për të shmangur dezinformimin dhe informacionin e cunguar lidhur me një çështje të caktuar. Versus.al