Kryeministri Edi Rama ka inspektuar sot punimet e Lungomare 3, vazhdimi i shëtitores së Vlorës që kalon buzë detit.
I shoqëruar nga kryebashkiaku i qytetit dhe përfaqësues të firmave që kryejnë punimet, Rama tha se shëtitorja e Vlorës do të vijojë deri në Orikum.
Ai u ndal në një restorant buzë detit me emrin “Babale”, e prej aty nuk kurseu as ironinë me opozitën. “Ky është Babali i mirë jo nga ato Babalët e Kënetës, ky është Babale i detit. Gjigand”, u shpreh Rama.
Së bashku me pedonalen, Rama tha se po hapet edhe traseja e një bajpasi mbi segmentin e hoteleve e restoranteve në Radhimë, ku rruga aktuale automobilistike do të kthehet në pedonale turistike.
Kujtojmë se ish-deputeti demokrat Ervin Salianji po vuan dënimin pasi Gjykata e Tiranës e dënoi me burg pasi e shpalli fajtor për 'kallzim të rremë' lidhur me audio-përgjimin e dosjes Babale. Në audio përgjim pretendohej se vëllai i ish ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj, ishte përfshirë në një episod trafiku droge. /Versus.al








