
Kryeministri Edi Rama ka tërhequr vëmendjen në rrjetet sociale me një veprim të papritur, teksa ka ndryshuar foton e profilit dhe imazhin e kopertinës në llogarinë e tij në Facebook, duke vendosur flamingot, simbolin që prej javësh identifikohet me protestën qytetare për mbrojtjen e Zvernecit.
Lëvizja e kreut të qeverisë vjen në një kohë kur protestuesit kanë hyrë në ditën e 26-të të tubimeve të tyre dhe vijojnë të kërkojnë dorëheqjen e Ramës, duke e bërë këtë ndryshim edhe më të komentuar në opinionin publik.
Flamingot janë kthyer në simbolin kryesor të protestës së njohur si “Revolucioni i Flamingove”, e cila nisi si reagim kundër projektit për ndërtimin e një resorti në zonën e mbrojtur të Zvernecit, habitat i rëndësishëm për mijëra shpendë migratorë.
Me kalimin e ditëve, protesta ka tejkaluar kauzën fillestare mjedisore dhe është shndërruar në një lëvizje më të gjerë qytetare, ku janë artikuluar kërkesa për më shumë transparencë, llogaridhënie dhe ndryshime në qeverisje. Mes tyre vazhdon të mbetet edhe kërkesa për largimin e kryeministrit.
Ndryshimi i fotografive në profilin zyrtar të Ramës është interpretuar në mënyra të ndryshme nga komentuesit në rrjetet sociale, duke nxitur debat mbi mesazhin që kryeministri ka dashur të përcjellë me këtë veprim.Versus.al

