Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një takim me të rinjtë në Kamëz, ku u përball me një situatë të papritur nga publiku. Teksa po mbante fjalimin e tij, një qytetar e ndërpreu duke thirrur me zë të lartë: “Rama ik!” – një thirrje që është bërë simbolike nga protestat e opozitës ndër vite.
Rama, si zakonisht me një qasje ironike dhe me tone batute, reagoi pa u treguar i prekur: “Po po, do iki!” – duke shkaktuar të qeshura dhe duartrokitje nga pjesa tjetër e të pranishmëve.
Ai e komentoi situatën si një “traditë” që nuk mungon në asnjë aktivitet të tillë, duke shtuar me humor:
“Në këto raste na duhet një hudhër, edhe sikur të mos na vijë duhet ta sajojmë. Shumë faleminderit për solidaritetin, por unë do shqetësohesha sikur të mbaronte gjithë kjo dhe të mos dilte ai zëri i të mbyturit në kënetë që thotë… ai duke u mbytur thotë ‘Rama ik’. Unë këtu me ju, ai tek pullë.”
Fjalimi i kryeministrit vijoi normalisht pas incidentit, me fokus tek sfidat dhe aspiratat e të rinjve në Kamëz, ndërkohë që reagimi i tij ndaj ndërhyrjes së papritur u komentua edhe në rrjetet sociale. /Versus.al/








