Kryeministri Edi Rama sot ka zhvilluar një takim në Elbasan ku ka prezantuar kandidatët për deputetë të këtij qarku në zgjedhjet e 11 majit. Ai vijoi me retorikën e domosdoshmërisë së votës për të vazhduar rrugën e anëtarësimit të vendit në BE.
“Në 12 maj kemi punën tonë, numërimi votat etj. Por ata që shkojnë në zyrë për të punuar me negociatat, që janë rreth 1 mijë veta në të gjithë rrjetin e punonjësve të shtetit, nuk duhet të kenë asnjë luhatje apo lëkundje”- tha Rama.
Ndërsa nuk la pa ironizuar edhe partitë e reja, për faktin se ato kanë futur në lista të mbyllura familjarë të tyre me qëllim që pas zgjedhjeve të dorëhiqen dhe më pas mandati t’u kalojë më të votuarve nga listat e hapura.
“Ata të tjerët do marrin mesazhin e qartë që populli shqiptar konfirmoi vazhdimin e negociatave dhe jo një rrjedhje sado të vogël të kënetës apo moçale të vogla të krijuara rreth saj që i thonë vetes jemi parti të reja, me baballarë e teze në listat e mbyllura”- shtoi kryeministri.
Më tej tha se plani është që Shqipëria dhe Mali i Zi të anëtarësohen njëkohësisht në Bashkimin Europian.
“Ka njerëz që thonë, po çfarë është ky muhabet, 12 vite nuk na futët në BE dhe tani doni mandatin e katërt. Serbia ka filluar negociatat në vitin 2014, sot jemi në 2025-ën, Serbia është prapa nesh. Mali i Zi ka filluar negociatat në vitin 2012, sot ne jemi njëjtë me Malin e Zi dhe plani është që të hyjmë njëkohësisht në BE”- deklaroi kreu i qeverisë. Versus.al







