
Kryeministri Edi Rama ka dhënë së fundmi një intervistë për mediat kosovare, ku është ndalur te situata aktuale në Kosovë, zhvillimet politike e rajonale, si dhe procesi gjyqësor në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Sa i përket rrugëtimit të Kosovës drejt Bashkimit Europian, Rama theksoi se integrimi është e vetmja mënyrë që shteti të sigurojë paqen e qëndrueshme. Ai u shpreh se Kosova nuk duhet të ketë asnjë vështrim nga Serbia për të arritur qëllimet e saj.
“Paqja fitohet kur Kosova ulet në tryezën e bashkësisë demokratike. Për ta arritur këtë, nuk ka pse të shohë drejt Beogradit, as të merret me pretendimet apo qëndrimet e Serbisë. Duhet të bëjë detyrat e saj për veten dhe të ardhmen e saj. Nëse në dialog ka pika për t’u përmbushur, Kosova duhet t’i realizojë ato në mënyrë unilaterale dhe të ecë përpara, pa u ndalur tek ajo që bën ose nuk bën Serbia”, tha Rama.
Kryeministri shtoi se, nëse Kosova përmbush të gjitha obligimet si shtet dhe Serbia jo, atëherë ajo ka më shumë të drejtë t’u drejtohet partnerëve ndërkombëtarë me fjalët: “Merruni me Serbinë, unë dua të ec përpara me vendin tim”.
Duke folur për Gjykatën Speciale të Hagës, ku ndodhen në paraburgim ish-presidenti Hashim Thaçi dhe ish-krerët e UÇK-së Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, Rama tha se ngritja e kësaj gjykate u nxit nga raporti i politikanit zviceran Dick Marty, i cili fliste për trafik organesh gjatë luftës.
“Po të shohësh, gjithë ky proces u ngrit mbi raportin famëkeq të Dick Martyt. Megjithatë, as në aktakuzë e as gjatë gjykimit nuk ka asnjë provë, asnjë shenjë e asnjë fjalë të lidhur me trafik organesh. Përkundrazi, procesi po mbështetet mbi dëshmitarë qesharakë, që duken si aktorë të epokës së Millosheviçit”, tha Rama.







