Kryeministri Edi Rama së bashku me përfaqësues të tjerë të qeverisë dhe të sistemit të drejtësisë ishin të pranishëm në një tryezë të përbashkët ku u prezantua program për konkursin ndërkombëtar të qendrës së drejtësisë. Ky projekt parashikon një pol të ri urban të godinave të sistemit të drejtësisë në një sipërfaqe prej 52 mijë metrash katrorë.
Megjithatë gjatë këtij takimi, Rama foli edhe për transformimet që Inteligjenca Artificiale mund të sjellë në pushtetin gjyqësor. Ai tha se teknologjia në vitet e ardhshme mund të zëvendësojë disa pozicione në sistemin e drejtësisë e madje edhe gjyqtarët deri në 2030-ën.
“Nëse ju doni që ne të punojmë me një projekt për ndihmësin ligjor me inteligjencë artificiale, unë ju siguroj që brenda një viti, ju do keni një ndihmës ligjor që të jetë në një nivel shumë më të lartë se gjithë ndihmesat ligjor që keni, për shkak se do të dijë shumë më tepër”, shtoi kryeministri. Por të imagjinosh zyrat e gjykatave të mbushura me ndihmësa ligjorë do të thotë që të mos mbash në konsideratë faktin se transformimet deri në 2030-ën do jenë të atilla që edhe gjykatësit për një pjesë të madhe të punëve nuk do jenë më njerëz, por inteligjencë artificiale. Sot që flasim, ne kemi parë modelin e ndërmjetësimit që po pilotohet në SHBA dhe është diçka spektakolare, funksionon në 95% të rasteve. Pra shkon me dy palë që janë të interesuara në gjykatë, marrin ofertën e IA dhe ndërmjetësuesi i jep opsionet duke u sugjeruar që të bëjnë marrëveshje dhe ta mbyllin këtë punë me marrëveshje”- tha Rama. Versus.al

