Kryeministri Edi Rama ka mbledhur pasditen e sotme në Pallatin e Brigadave deputetët e Partisë Socialiste, si ata të dalë nga lista e hapur ashtu edhe të listës së mbyllur, të zgjedhjeve të 11 majit. Në këtë takim vlerësues pas fitores së thellë elektorale, Rama ka dhënë sinjale të forta për një rifreskim të strukturave drejtuese të partisë dhe të qeverisë.
Duke folur para deputetëve dhe drejtuesve politikë, Rama u shpreh se pas këtij rezultati historik, është momenti që Partia Socialiste të ndërmarrë disa lëvizje të nevojshme për të qëndruar e freskët, efektive dhe e lidhur me realitetin.
“Duhet të bëjmë disa lëvizje në udhëheqjen e partisë dhe në qeveri,” tha Rama, duke shtuar se “PS nuk është qëllim në vetvete, por mjet për të çuar përpara Shqipërinë.”
Kjo deklaratë vjen në një kohë kur zërat për një riformatim të kabinetit qeveritar janë shtuar, veçanërisht pas analizës së performancës së ministrave në zgjedhje dhe në zbatim të politikave publike.
Rama ka lënë të kuptohet se në mandatin e katërt, prioritet do të jetë jo vetëm ruajtja e besimit të qytetarëve, por edhe një qeverisje më dinamike dhe më e përgjegjshme.
Fjalimi i Ramës është përshkruar nga të pranishmit si një përzierje mes triumfit dhe vetëreflektimit, me theks të qartë te nevoja për vetëkorrigjim dhe për të shmangur vetëkënaqësinë që mund të sjellë një fitore e thellë.
Në pritje të konkretizimit të këtyre lëvizjeve, vëmendja do të jetë te përzgjedhja e kuadrove të rinj, ndryshimet e mundshme në kabinet dhe një reformim i strukturave të PS në funksion të përgatitjes për sfidat e reja politike dhe ekonomike. /Versus.al/







