Kryesocialisti Edi Rama ka përdorur një ton ironik dhe thumbues gjatë fjalimit të tij në Pallatin e Brigadave, ku u mblodhën deputetët dhe kandidatët fitues të Partisë Socialiste pas fitores në zgjedhjet e 11 majit.
Në një atmosferë festive, Rama iu drejtua me kritika të forta opozitës, duke përqeshur pretendimet për manipulim të votës dhe për vdekjen e pluralizmit politik në vend.
“Jozefina [Topalli] e vajtonte humbjen me lot rrëke për disa zarfa të Beratit, ku PS kishte marrë 90% të votave. Vdiq pluralizmi, na e vranë pluralizmin, qante si për mort,” tha Rama me ironi, duke iu referuar deklaratave të ish-kryetares së Kuvendit dhe përfaqësueses së PD-së për diasporën.
Ai nuk la pa përmendur as ish-kryeministrin Sali Berisha, të cilin e quajti me sarkazëm “një kufomë ambulante”, duke theksuar se opozita është kthyer në një teatër të përditshëm me figura të konsumuara që nuk kanë më as mbështetje dhe as energji për të përballuar zgjedhje reale.
“Jozefina është rikthyer si një Doruntinë, mbi samarin e listës së mbyllur, të mushkës gërmuqe të partisë. Ndërsa Berati është në krye të skuadrave për t’i mobilizuar shqiptarët jashtë vendit… Por kur ata çohen nga gjumi e thonë ‘rrush’, ne i kemi futur në shportë,” vijoi ai, duke ironizuar përpjekjet e PD-së për të fituar vota në diasporë.
Rama theksoi se Partia Socialiste nuk i ka fituar zgjedhjet për të mundur kundërshtarët, por për të përmbushur objektivat madhore, përfshirë integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Ai u zotua se mandati i katërt do të shërbejë si një forcë vetëkorrigjuese për qeverisjen dhe si garanci për vazhdimin e reformave. /Versus.al/







