Partia Socialiste ka festuar mbrëmjen e sotme fitoren në zgjedhjet e 11 majit me një aktivitet të zhvilluar në Pallatin e Brigadave. I gjithë ekipi që garoi për PS-në në këto zgjedhje u mblodh për të shënuar rezultatin që kryeministri Edi Rama e cilësoi si një “arritje historike” për forcën politike që drejton.
Në fjalën e tij para të pranishmëve, Rama falënderoi bashkëpunëtorët dhe theksoi se Partia Socialiste nuk është një qëllim në vetvete, por një mjet për të realizuar synime konkrete për vendin, përmes fitores në zgjedhje.
“Faleminderit për vlerën e shtuar që solli secili dhe secila në këtë arritje historike për PS. PS nuk është qëllim, por mjet për të luftuar. Për të arritur qëllimet duhet të fitosh zgjedhjet. Nuk na duhen për të mundur të tjerët, nuk është sport, edhe pse ngjan shumë me sportin,” u shpreh Rama.
Më tej, ai theksoi se mandati i katërt do të shërbejë si një “fuqi vetëkorrigjuese”, duke lënë të kuptohet se qeverisja do të ketë një fokus të shtuar tek përmirësimi i brendshëm dhe përgjegjshmëria.
“Do përdorim mandatin katër si fuqi e madhe vetëkorrigjuese. Jemi ngjitur aq lart sa askush nuk e ka besuar,” theksoi ai.
Pa lënë jashtë vëmendjes opozitën, Rama la të kuptohet se kundërshtarët politikë nuk janë objektivi i PS-së, duke i mëshuar diferencës mes “fitoreve për qëllime personale” dhe atyre për interesa publike.
Ngjarja vjen në një moment kur opozita ka ngritur pretendime të forta për procesin zgjedhor, ndërsa shumica socialiste e konsideron rezultatin si një konfirmim të mbështetjes popullore për qeverisjen e saj. /Versus.al/







