
Kryeministri Edi Rama, ka reaguar sërish sot ndaj protestës së një dite më parë para Kryeministrisë e cila shënoi një tjetër rekord pjesëmarrje si pasojë e përfshirjes dhe të Diasporës.
Në një mesazh në rrjetet sociale, Rama duke iu referuar video-kartolinës në ditën e lindjes së tij, arkmortit, shkruan se kjo ishte e pritshme dhe se protesta tashmë është rrëmbyer nga duart e “flamingove”, sic i quan ai protestuesit.
Por ai i ka bërë thirrje protestuesve të kujtojnë se dikur, në 1998, u përdor pikërisht një simbolikë e tillë, por ndryshe nga kjo herë, në atë arkivol ishte Azem Hajdari.
“Ajo protestë nuk është më e juaja të dashur flamingo! Ju jeni bërë, pa autorizimin tuaj dhe jashtë dëshirës suaj, alibia e një arkmorti të rikthyer në bulevard si shembëlltyrë e mallkimit që e ka ndjekur Shqipërinë qysh prej vitit 1912; duke përdorur gjithmonë atdheun, flamurin dhe sovranitetin si lëndë të para për të ushqyer urrejtjen mes shqiptarëve dhe si gozhda ndëshkimi që, më shumë se një herë, e kanë kyçur këtë vend në humnerën brenda atij arkmorti.
Ama kjo video-kartolinë e trishtë nuk është kurrësesi një thirrje, që ju të hiqni dorë nga ndjenjat e mendimet që ju bënë bashkë. Jo, kjo është vetëm një ftesë miqësore që ju të mos hiqni dorë në asnjë mënyrë nga kujtesa.
Sepse historia nuk është një barrë nga e cila shpëtojmë duke e flakur jashtë vëmendjes sonë, po është busulla që nuk na lejon të humbasim rrugën tonë. Kush harron nga vjen, nuk di më se ku po shkon”, shkruan Rama./Versus.al

