POLITIKË /

Rama për investimin në Sazan: Toka publike nuk do të shitet, shteti do të mbetet pronar dhe ortak në projekt

Rama sqaroi se projekti për Sazanin është ende në fazën e negociatave dhe se shteti shqiptar nuk do të heqë dorë nga pronësia mbi ishullin.

Shkruar nga Versus
Rama për investimin në Sazan: Toka publike nuk do të shitet,
Edi Rama

Kryeministri Edi Rama, gjatë podcastit të tij të përjavshëm "Flasim", u ndal te debati publik mbi investimet e planifikuara në zonat e Zvërnecit dhe Sazanit, duke hedhur poshtë pretendimet se qeveria synon të shesë tokë publike.

Rama sqaroi se projekti për Sazanin është ende në fazën e negociatave dhe se shteti shqiptar nuk do të heqë dorë nga pronësia mbi ishullin.

"Sazani është tokë publike, ku ende nuk kemi mbyllur marrëveshjen. Pikërisht sepse ne po negociojmë partneritetin dhe shteti, që do të jetë gjithnjë pronar i tokës, do të duhet, për t'u realizuar marrëveshja, të jetë ortak në sipërmarrje. Pra, as nuk është kërkuar ndonjë shitje e tokës publike", u shpreh kryeministri.

Ai foli edhe për pyetjet që iu drejtuan gjatë një interviste për Deutsche Welle, ku, sipas tij, u përball me pretendime të pabazuara lidhur me investimet në Zvërnec dhe marrëdhënien e qeverisë me kompaninë e përfaqësuar nga Jared Kushner.

"U përballa me pyetje të tipit: 'Si mund të privatizohet, të shitet toka publike?', gjë që as nuk ka ndodhur, as nuk ka arsye të ndodhë. Zvërneci është tokë private, Sazani është tokë publike", deklaroi Rama.

Kreu i qeverisë theksoi se çdo investim do të respektojë standardet e Bashkimit Evropian dhe nuk do të cenojë procesin e integrimit të Shqipërisë.

"Nuk ka asnjë shans që Shqipëria të bëjë hapa, të bëjë zhvillime që bien ndesh me standardet dhe kriteret e Bashkimit Europian", tha ai.

Sipas Ramës, projekti do t'i nënshtrohet vlerësimit të ndikimit në mjedis dhe monitorimit nga Komisioni Evropian.

"Ne jemi të detyruar nga ato standarde të bëjmë vlerësimin e impaktit në mjedis, gjë që po e bëjmë; jemi të detyruar nga ato standarde që t'u përgjigjemi të gjitha kritereve të Bashkimit Europian. "Siguresa" për të gjithë ata që janë të shqetësuar është pikërisht Komisioni Europian, i cili deri më tani është njohur në vijimësi me faktet dhe nuk ka asnjë sens alarmi, sepse është shumë e qartë që i gjithë procesi do të bëhet në harmoni me procesin e monitorimit nga Komisioni Europian", përfundoi Rama./Versus.al

Tags:

edi rama

Poll