Kryeministri Edi Rama deklaroi se Akti Normativ i miratuar në muajin qershor konfirmon se ekonomia shqiptare po performon më mirë se sa ishte parashikuar, duke sjellë edhe të ardhura më të larta në buxhetin e shtetit.
Gjatë podcastit të tij "Flasim", Rama tha se këto të ardhura shtesë kanë bërë të mundur miratimin e një sërë masash mbështetëse për kategori të ndryshme të qytetarëve.
Kreu i qeverisë u ndal te bonusi për pensionistët, duke theksuar se ai nuk lidhet me fushatën zgjedhore.
"Aprovuam një bonus për pensionistët, një kujtesë për këta njerëz që i kanë dhënë shumë Shqipërisë. Ka që thonë se ne bonusin e japim për fushatë. Jo, ne nuk kemi asnjë fushatë, sepse fushata është vitin tjetër", u shpreh Rama.
Ai bëri të ditur se qeveria ka vënë në dispozicion 15 milionë euro për ilaçet e pacientëve me kancer, si dhe ka vendosur rritjen e pagave për mjekët e urgjencës.
Sipas Ramës, janë miratuar gjithashtu fonde shtesë për rritjen e garancisë sovrane në programin kombëtar të dyfishimit të ndërmarrjeve, si dhe është dyfishuar mbështetja financiare për personat me aftësi të kufizuara, fëmijët me aftësi të veçanta dhe kujdestarët e tyre.
Kryeministri shtoi se pjesë e paketës së re janë edhe investime për zhvillimin urban dhe rural, duke theksuar se të gjitha këto masa janë bërë të mundura falë ecurisë pozitive të ekonomisë dhe rritjes së të ardhurave në buxhet./Versus.al

