Çfarë do të gjeni në brendësi
Nga pensionistët te pacientët me kancer, Rama: Ja ku do të shkojnë fondet shtesë të buxhetit.
Kryeministri Edi Rama deklaroi se Akti Normativ i miratuar në muajin qershor konfirmon se ekonomia shqiptare po performon më mirë se sa ishte parashikuar, duke sjellë edhe të ardhura më të larta në buxhetin e shtetit.
Gjatë podcastit të tij "Flasim", Rama tha se këto të ardhura shtesë kanë bërë të mundur miratimin e një sërë masash mbështetëse për kategori të ndryshme të qytetarëve.
Kreu i qeverisë u ndal te bonusi për pensionistët, duke theksuar se ai nuk lidhet me fushatën zgjedhore.
"Aprovuam një bonus për pensionistët, një kujtesë për këta njerëz që i kanë dhënë shumë Shqipërisë. Ka që thonë se ne bonusin e japim për fushatë. Jo, ne nuk kemi asnjë fushatë, sepse fushata është vitin tjetër", u shpreh Rama.
Ai bëri të ditur se qeveria ka vënë në dispozicion 15 milionë euro për ilaçet e pacientëve me kancer, si dhe ka vendosur rritjen e pagave për mjekët e urgjencës.
Sipas Ramës, janë miratuar gjithashtu fonde shtesë për rritjen e garancisë sovrane në programin kombëtar të dyfishimit të ndërmarrjeve, si dhe është dyfishuar mbështetja financiare për personat me aftësi të kufizuara, fëmijët me aftësi të veçanta dhe kujdestarët e tyre.
Kryeministri shtoi se pjesë e paketës së re janë edhe investime për zhvillimin urban dhe rural, duke theksuar se të gjitha këto masa janë bërë të mundura falë ecurisë pozitive të ekonomisë dhe rritjes së të ardhurave në buxhet./Versus.al
Rama për investimin në Sazan: Toka publike nuk do të shitet, shteti do të mbetet pronar dhe ortak në projekt
Kryeministri Edi Rama, gjatë podcastit të tij të përjavshëm "Flasim", u ndal te debati publik mbi investimet e planifikuara në zonat e Zvërnecit dhe Sazanit, duke hedhur poshtë pretendimet se qeveria synon të shesë tokë publike.
Rama sqaroi se projekti për Sazanin është ende në fazën e negociatave dhe se shteti shqiptar nuk do të heqë dorë nga pronësia mbi ishullin.
"Sazani është tokë publike, ku ende nuk kemi mbyllur marrëveshjen. Pikërisht sepse ne po negociojmë partneritetin dhe shteti, që do të jetë gjithnjë pronar i tokës, do të duhet, për t'u realizuar marrëveshja, të jetë ortak në sipërmarrje. Pra, as nuk është kërkuar ndonjë shitje e tokës publike", u shpreh kryeministri.
Ai foli edhe për pyetjet që iu drejtuan gjatë një interviste për Deutsche Welle, ku, sipas tij, u përball me pretendime të pabazuara lidhur me investimet në Zvërnec dhe marrëdhënien e qeverisë me kompaninë e përfaqësuar nga Jared Kushner.
"U përballa me pyetje të tipit: 'Si mund të privatizohet, të shitet toka publike?', gjë që as nuk ka ndodhur, as nuk ka arsye të ndodhë. Zvërneci është tokë private, Sazani është tokë publike", deklaroi Rama.
Kreu i qeverisë theksoi se çdo investim do të respektojë standardet e Bashkimit Evropian dhe nuk do të cenojë procesin e integrimit të Shqipërisë.
"Nuk ka asnjë shans që Shqipëria të bëjë hapa, të bëjë zhvillime që bien ndesh me standardet dhe kriteret e Bashkimit Europian", tha ai.
Sipas Ramës, projekti do t'i nënshtrohet vlerësimit të ndikimit në mjedis dhe monitorimit nga Komisioni Evropian.
"Ne jemi të detyruar nga ato standarde të bëjmë vlerësimin e impaktit në mjedis, gjë që po e bëjmë; jemi të detyruar nga ato standarde që t'u përgjigjemi të gjitha kritereve të Bashkimit Europian. "Siguresa" për të gjithë ata që janë të shqetësuar është pikërisht Komisioni Europian, i cili deri më tani është njohur në vijimësi me faktet dhe nuk ka asnjë sens alarmi, sepse është shumë e qartë që i gjithë procesi do të bëhet në harmoni me procesin e monitorimit nga Komisioni Europian", përfundoi Rama./Versus.al
Rama për protestat: Ka dy shtresa, qytetarë me halle reale dhe dështakë-zemërakë
Kryeministri Edi Rama ka komentuar protestat e zhvilluara në Tiranë, duke deklaruar se qeveria po ndjek me vëmendje çdo zhvillim që lidhet me tubimet qytetare.
Gjatë podcastit "Flasim", Rama tha se një ekip i posaçëm po monitoron dhe analizon gjithçka që thuhet dhe ndodh në protestë.
Sipas tij, pjesëmarrësit ndahen në dy kategori: qytetarët që protestojnë për shqetësime reale dhe një grup tjetër që ai e cilësoi si "dështakë-zemërakë".
"Unë jam shumë i vëmendshëm dhe një ekip i tërë po dëgjon me shumë vëmendje gjithçka që duhet dëgjuar nga protesta e bulevardit", u shpreh Rama.
Kreu i qeverisë shtoi se në protestë ka njerëz që kanë arsye të sinqerta për të ngritur zërin, por edhe individë që, sipas tij, kanë krijuar një klimë tensioni dhe kanë nxitur incidente të dhunshme.
Kryeministri Rama: Unë jam shumë i vëmendshëm dhe një ekip i tërë po dëgjon me shumë vëmendje gjithçka që duhet dëgjuar nga protesta e bulevardit, e cila ka dy shtresa: "ujin e rrjedhshëm" të të gjithë atyre që dolën sinqerisht dhe që janë sinqerisht të shqetësuar apo që kanë halle reale dhe "koren e zezë" të gjithë dështakë-zemërakëve të ardhur nga të gjitha rrugët e jetës, që kanë krijuar një situatë konvulsive ku janë shfaqur edhe elementët e pashmangshëm të dhunës në këto raste, pasi kur shkon pas Berihait, në fund të del përpara muri.

