POLITIKË /

Rama “shpërthen” në Dibër: Opozita kërkon bllokimin e Shqipërisë, ne jemi në finishin drejt BE-së

Nga Rruga e Arbrit te “misioni kombëtar” për integrimin. Kryeministri flet për rilindje ekonomike në Dibër dhe sulmon ashpër kundërshtarët: “Helm dhe baltë kundër vendit të tyre”

Shkruar nga Versus

Rama “shpërthen” në Dibër: Opozita kërkon

Kryeministri Edi Rama ka mbledhur sot Asamblenë e Partisë Socialiste në Dibër, në një takim me tone të forta politike dhe mesazhe të drejtpërdrejta për opozitën dhe të ardhmen e vendit.

Para socialistëve, Rama theksoi se Partia Socialiste mban mbi supe “peshën e 83 mandateve”, duke e cilësuar këtë si një përgjegjësi të madhe, por edhe si një provë force për të çuar përpara “misionin kombëtar” të integrimit europian. Ai vuri në dukje se tre mandatet e fituara në këtë qark janë një rezultat “spektakolar”, që sipas tij reflekton besimin e qytetarëve dhe drejtimin e duhur të qeverisë.

Në fokus të fjalës së tij ishte edhe transformimi i Dibrës, ku ai përmendi konkretisht Rruga e Arbrit si një nga investimet më të rëndësishme që ka nisur të japë efektet e para. Rama deklaroi se rritja e vlerës së pronave, kërkesat në rritje për ndërtim dhe zhvillimi ekonomik janë sinjale të qarta të një “rilindjeje të re” për zonën.

“Dibra po shndërrohet në jastëkun e gjelbër të kryeqytetit”, u shpreh ai, duke shtuar se afërsia me Tiranën do të ndikojë drejtpërdrejt në zhvillimin e mëtejshëm ekonomik dhe bujqësor.

Në një ton të ashpër ndaj opozitës, Rama akuzoi kundërshtarët politikë se përmes akuzave dhe deklaratave publike po dëmtojnë imazhin e Shqipërisë, madje duke kërkuar hapur bllokimin e procesit të integrimit europian.

Sipas tij, kjo është një sjellje e paprecedentë:
“Nuk ndodh askund që përfaqësues të një vendi të shkojnë jashtë dhe të kërkojnë bllokimin e vendit të tyre”, theksoi ai, duke shtuar se edhe partnerët ndërkombëtarë janë shprehur të habitur nga kjo qasje.

Rama e cilësoi Partinë Socialiste si të vetmen forcë politike me kapacitetin për të përmbushur këtë “mision historik”, duke e quajtur atë një forcë “hegjemone” në këtë fazë vendimtare për vendin.

Në fund, ai u bëri thirrje strukturave socialiste të qëndrojnë të bashkuara dhe të refuzojnë “baltën dhe helmin” që, sipas tij, përhapet çdo ditë kundër qeverisë, duke kërkuar një angazhim maksimal për të mbrojtur arritjet dhe për të çuar përpara procesin e integrimit.

“Ne jemi në prag të derës së Europës dhe kjo është një mundësi që nuk duhet humbur,” përfundoi Rama.

Poll