Kryeministri Edi Rama do t’i rikthehet turit të takimeve me diasporën pas takimeve që mbajti më herët në Athinë dhe Milano.
Më 26 tetor, kreu i qeverisë udhëton drejt SHBA-ve ku do të takohet me komunitetin shqiptar që jeton në Amerikë prej vitesh. Takimi do të mbahet në një sallë të Nju Jorkut në Gotham Hall 1356 Broadway. Takimet e Ramës me shqiptarët që jetojnë jashtë nisën në maj, ku më datë 12, kryeministri vizitoi Athinën dhe mbajti fjalën e tij në sallën prej 3500 vendesh duke u fokusuar tek arritjet e komunitetit shqiptar në vendin fqinj.
Ndërsa më 26 maj, takimi u zhvillua me shqiptarët e Italisë në Milano të cilët i ftoi të kthehen dhe investojnë në vendin tonë. Turi ishte planifikuar të vijonte me takime në Britani të Madhe dhe Gjermani, por u shtynë për t'u vazhduar në vjeshtë siç njoftoi edhe vetë Rama.
Mirëpo, ka pasur një ndryshim planesh dhe rikthimi turit të diasporës do të jetë me shqiptarët e SHBA-ve. Takimet e Ramës vijnë në prag të zgjedhjeve parlamentare, kur duket se këtë herë edhe shqiptarët që jetojnë jashtë do e kenë mundësinë të votojnë me postë. Versus.al








