Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo, ka folur pas mbledhjes së qeverisë lidhur me procesin e reformës territoriale dhe debatet që po zhvillohen në kuadër të dëgjesave publike në terren.
I pyetur për kritikat e kryetarit të Bashkisë së Lezhë, Pjerin Ndreu, i cili ka kundërshtuar mënyrën e qasjes së qeverisë duke pretenduar cenim të kompetencave të pushtetit vendor, përfshirë administrimin e ujësjellësve dhe lejet për stacionet e plazhit, Demo tha se procesi i konsultimit është pikërisht hapësira ku këto shqetësime duhet të trajtohen.
Sipas tij, reforma territoriale mbetet një proces i hapur, ku synohet gjetja e ekuilibrit mes përgjegjësive të pushtetit vendor dhe rolit të institucioneve qendrore.
“Ka shumë për të diskutuar. Reforma është aty për të adresuar elementët që lidhen me bashkitë. Funksionet e tyre janë shumë të rëndësishme dhe duhet të merren në konsideratë. Qeveria qendrore nuk do bjerë gjithmonë dakord me bashkitë. Unë kam qenë vetë kryetar bashkie,” u shpreh Demo.
Ai theksoi se përmes reformës synohet forcimi i bashkive dhe përmirësimi i shërbimeve për qytetarët, duke nënvizuar se kompetencat e tyre duhet të trajtohen me kujdes, pavarësisht debateve që mund të lindin gjatë procesit të konsultimeve.
Demo shtoi gjithashtu se turi i dëgjesave do të vijojë deri në fund të majit, ku pritet të dëgjohen qëndrime të ndryshme nga kryetarët e bashkive dhe aktorë të tjerë të përfshirë në reformë.
Ministri Demo:
Më vjen mirë që ky proces ka filluar. Unë mendoj se mendimet e të gjithë aktorëve duke filluar me kryetarët e bashkive, por jo vetëm, duhet patjetër të japin qëndrimet e tyre sa i përket reformës dhe atyre që janë konstatuar përgjatë 10 viteve të fundit në reformën e cila u fut në veprim në 2015. Unë besoj që ka shumë për të diskutuar, ajo që di të them është se reforma territoriale është aty për të adresuar elementët që kanë të bëjnë me bashkitë.
Unë e kam theksuar se funksionet e bashkive janë shumë të rëndësishme dhe për t’u marrë në konsideratë. Kuptohet që qeveria qendrore nuk do bjerë dakord gjithmonë me bashkitë, unë kam qenë vetë kryetar bashkie.
Nëse i marrim reformat me radhë, qoftë ajo e ujësjellësit, ka qëndrime të ndryshme. Ne duhet të garantojmë që bashkitë, me ato çfarë kompetenca të deleguara apo burojnë nga ligji, të garantojmë që bashkitë të jenë më të forta. Javët që kemi përpara dhe axhenda e miratuar nga komisioni deri në fund të majit përmbyllet turi, unë besoj se do dëgjojmë shumë kryetarë sa i përket reformës./Versus.al

