Pas përfundimit të zgjedhjeve të 11 majit, Partia Demokratike është gjendur jo vetëm me përballje të forta me kundërshtarët politikë, por edhe me pakënaqësi të brendshme.
Disa kandidatë të saj kanë ngritur shqetësime mbi manipulimin e votave preferenciale dhe kanë kërkuar rinumërimin e tyre.
Megjithatë, Komisioni i Ankesave dhe Sanksioneve ka refuzuar këto kërkesa, duke argumentuar se individët nuk mund të paraqesin ankesa për rinumërim, pasi ligjërisht e drejta për ta bërë këtë i përket vetëm subjektit politik.
Në këtë kontekst, së fundmi është publikuar edhe një mesazh i liderit të Partisë Demokratike, Sali Berisha, drejtuar drejtuesve dhe kandidatëve të partisë në një grup të përbashkët komunikimi.
Në mesazh, ai shpreh angazhimin e partisë për të mbështetur çdo kërkesë ligjore të kandidatëve, duke theksuar rëndësinë e transparencës si një parim bazë të PD-së dhe aleancës së saj.
“Çdo kandidat që ka nevojë për mbështetje për kërkesa si verifikime, rinumërime apo transparencë, do ta ketë mbështetjen e plotë të partisë”, thuhet ndër të tjera në mesazhin e tij.
Në këtë mënyrë, Partia Demokratike zotohet të qëndrojë pranë kandidatëve të saj në përpjekjen për të garantuar integritetin e procesit zgjedhor./Versus.al







