Megi Fino është zgjedhur në krye të Këshillit Bashkiak, pas një propozimi nga Eridian Salianji, kreu i grupit të këshilltarëve socialistë. Në të njëjtin vendim, Endrit Braimllari u emërua nënkryetar i këtij institucioni. Fino merr detyrën nga Romina Kuko.
E lindur më 7 prill 1993 në Janinë, Fino ka një profil të spikatur akademik dhe profesional. Ajo kreu arsimin parauniversitar në programin ndërkombëtar IB në Pekin (2012) dhe më pas përfundoi studimet për drejtësi në City, University of London, ku mori edhe një Master (LLM) në të Drejtë Publike Ndërkombëtare dhe më vonë diplomën për Praktikë Ligjore (LPC). Në vitin 2015, ajo u diplomua edhe në gjuhën kineze nga SOAS University of London.
Gjatë studimeve dhe pas tyre, Fino ka punuar në fusha që lidhen me emigracionin dhe ndihmën juridike falas, si dhe në studio ndërkombëtare. Në vitin 2018 ajo u angazhua si avokate në studion CMS në Tiranë, ndërsa më vonë punoi si eksperte në sektorin ligjor të Vodafone Albania.
Në vitin 2021, hartoi Indeksin e Integritetit si pjesë e projektit STAR 3 për reformën e qeverisjes vendore, duke shërbyer si këshilltare për integritetin pranë UNDP.
Ajo zotëron njohuri të gjera gjuhësore, duke folur rrjedhshëm anglisht dhe spanjisht, si dhe duke pasur njohuri të mira në kinezçe, italisht dhe greqisht. Prej qershorit 2021, Megi Fino ushtron funksionin e Zëvendësministres për Evropën dhe Punët e Jashtme. /Versus.al/







