
Dhjetëra kamionë dhe një autokolonë trafiku që shtrihet për disa kilometra në pikën kufitare të Morinës. Këto kanë qenë efektet e para të vendimit të marrë për kufizimin e lëvizjes së mjeteve të tonazhit të rëndë në Shqipëri.
Drejtuesit e mjeteve thonë se përveç kufizimit të qarkullimit, situata rëndohet edhe nga procedurat e ngadalta në anën e kufirit të Kosovës. Sipas tyre, përpunimi i kamionëve kryhet vetëm në një sportel, duke shtuar kohën e pritjes dhe trafikun në pikën kufitare.
Qarkullimi i mjeteve të transportit të mallrave ndalohet nga ora 15:00 deri në 24:00 të ditës së premte dhe nga ora 07:00 deri në 24:00 gjatë së shtunës dhe të dielës. Kjo ka bërë që qindra mjete të tonazhit të rëndë të grumbullohen pranë kufirit në pritje të rifillimit të lëvizjes.
Shoferët shprehen se vonesat po u sjellin jo vetëm humbje kohe, por edhe kosto shtesë financiare. Ata thonë se pritjet e gjata ndikojnë në transportin e mallrave dhe në të ardhurat e tyre, ndërsa disa prej tyre pohojnë se po mendojnë të heqin dorë nga ky profesion. Versus.al

