
Kërkesa për energji elektrike gjatë gjashtë ditëve të para të korrikut është rritur me 20% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Sipas ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku, kjo rritje lidhet kryesisht me temperaturat e larta të ditëve të fundit, por edhe me shtimin e njësive hoteliere dhe turizmit në vend.
“Duke e krahasuar korrikun e vitit 2025 me korrikun e vitit 2024 vetëm për javën e parë, kemi 20% rritje të kërkesës. E thënë ndryshe në shifra, në 6 ditët e para të vitit 2024, mesatarisht shkonin në 18.6 milionë kWh kërkesë, ndërsa në 6 ditët e para të vitit 2025, kemi pasur një kërkesë prej 22.4 milionë kWh. E gjitha kjo padyshim reflekton ditët e nxehta, por edhe kërkesën nga njësitë e reja të hotelerisë apo banesave që kanë filluar të jenë të përdorshme” wshtw shprehur zv/kryeministrja Balluku.
Balluku theksoi se, pavarësisht rritjes së ndjeshme të konsumit, OSHEE po siguron furnizim të pandërprerë me energji elektrike për të gjithë abonentët. Ajo shtoi se ekipet në terren janë në gatishmëri të plotë për të ndërhyrë menjëherë në rast të ndonjë avarie.
“Puna që po bëhet në terren nga grupet e OSSH-së, është një punë që e konsiderojmë shumë të mirë. Shkëputjet kanë qenë minimale dhe avaritë që kanë ardhur si pasojë e kërkesës së rritur, janë sistemuar në kohë rekord. 1600 punonjës të OSHEE ndodhen në terren për të siguruar një shërbim sa më të mirë”, tha Balluku.







