Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka zhvilluar një takim me qytetarët e Elbasanit ku prezantoi kandidatët për deputetë të qarkut që garojnë në zgjedhjet e 11 majit.
Teksa foli për gjendjen ku ndodhet vendi, Berisha premtoi se nëse PD vjen në pushtet, një vëmendje e veçantë do t’i kushtohet arsimit me rritjen e rrogave të mësuesve deri në 1500 euro si dhe reduktimin e numrit të nxënësve për klasa duke bërë që klasat të mos mbyllen dhe që mësuesit të mbajnë vendin e punës.
“Rikujtoj sot një ditë në jetën time të veçantë, në vitin 2005, unë u kam premtuar në këtë qytet mësuesve të Shqipërisë dyfishimin e rrogave. Jam sot këtu po në Elbasan për t’u premtuar mësuesve të Shqipërisë se në krye të një mandati, rrogat e tyre do jenë 1500 euro.
Jam sot këtu për t’u premtuar nga ky qytet, djep i arsimit, mësuesve shqiptarë, se ata nuk do largohen për mungesë orësh nga sistemi arsimor. Jo, klasat do zbresin në 20-25 nxënës dhe ata do mbajnë vendin e punës”- deklaroi Berisha.
Ndërsa më tej tha se politizimi i arsimit merr fund më 12 maj, ndërkohë që përmendi rezultatet e arritura gjatë qeverisjes së tij, kur u shënua ngjitje në testin e PISA-s për arsimin.
“Jam këtu për t’u premtuar mësuesve të Shqipërisë se tabelat dixhitale do vendosen në shkollat e vendit. Dixhitalizimi i thellë i sistemit arsimor. Jam këtu për t’u premtuar se shkolla e partisë për drejtorë dhe portali i partisë për mësuesit, marrin fund me datën 12 maj.
U përdorën si kurthe për të krijuar patronazhistë dhe militantë në arsim. Jo, mësuesit tanë do të respektohen në të gjithë dinjitetin e tyre dhe unë u them një gjë, atyre dhe shqiptarëve, po nuk vendosim mësuesin në piedestal, shkolla jonë nuk do ngrejë kokë kurrë.
Patëm disa rezultate në këto përpjekje të para që bëmë para disa vitesh. Arritëm një ngjitje vertikale në testin e PISA-s. Por çfarë ndodhi mbrapa? Çfarë ndodhi pasi u vendos portali i partisë? Çfarë ndodhi pasi u mbushën shkollat me patronazhistë?
Rënie në pikiatë e cilësisë së arsimit. Të fundit në botë nxënësit shqiptarë për mendimin kreativ. Por ka një ligj, sado poshtë që të biesh, kurrë nuk duhet të ngurrosh të ngrihesh përsëri. Dhe ne do ngrihemi përsëri. Ne do rikthejmë arsimin aty ky ishte”- shtoi Berisha. Versus.al








