POLITIKË /

"S'bëjmë dot referendume", Celibashi: Duhen ndryshime në Ligjin Zgjedhor, kolegji s'ka pse të ekzistojë

Sipas kreut të KQZ, nuk ka përse Kolegji Zgjedhor të shqyrtojë ankesa të partive politike mbi rezultatin, kur këto ankesa mund të dorëzohen në gjykatën administrative dhe të apelit.

Shkruar nga Versus
"S'bëjmë dot referendume", Celibashi: Duhen ndryshime
Ilirjan Celibashi, kreu i KQZ

Drejtues dhe përfaqësues të institucioneve të ndryshme të vendit janë mbledhur sot për të diskutuar lidhur me ligjin zgjedhor. Në krye të tryezës ku ishin të pranishëm edhe përfaqësues politikë të partive lidhur me reformën zgjedhore, ishte edhe kreu i KQZ, Ilirjan Celibashi i cili foli për disa prej problematikave që duhen adresuar dhe zgjidhur me reformën e re zgjedhore.

Sipas tij, do të duhet që të bëhen qartësime në rregullat për financimin e partive politike dhe fushatave zgjedhore. Ndërsa theksoi gjithashtu domosdoshmërinë për të marrë një vendim për votimin elektronik, nëse do të përhapet në të gjithë vendin, apo do të mbetet në përhapjen aktuale.

“Do duhet të riorganizohen rregullat që kanë të bëjnë me financimin e partive politike dhe financimin e fushatave të tyre zgjedhore. Në këtë kuadër do duhet të shohim se çfarë do bëjmë me financimin e palëve të treta, të atyre subjekteve që nuk marrin pjesë në zgjedhje, por angazhohen duke mbështetur një parti politike.

Rregullat për fushatën zgjedhore adresojnë vetëm ato për televizionin, asgjë sa i takon fushatës online. Për votimin elektronik duhet të vendosim nëse do ta zgjerojmë apo jo, është vendim duhet ta marrim tani. Mbi 85% e votuesve shqiptarë mbështesin votimin elektronik”- tha Celibashi.

Ai shtoi gjithashtu se nuk ka arsye të ekzistojë kolegji zgjedhor për ankimet e rezultatit, kur ato mund të adresohen tek gjykata administrative apo e apelit.  

“Nuk ka më arsye përse Kolegji Zgjedhor të shqyrtojë ankimet, mund të jetë gjykata e Apelit apo administrative. Kolegji Zgjedhor e ka mbyllur misionin e vetë”- theksoi kreu i KQZ.

Një pikë e veçantë duhet të jenë edhe rregullat për referendumet tha Celibashi pasi në kushtet aktuale, sipas tij nuk mund të zhvillohet asnjë referendum në vend.

“Nuk i bëjmë dot referendumet në Shqipëri. Do të duhet të punojmë për të ndryshuar dhe adaptuar rregullat që mundësojnë qëllimin e referendumeve. Po ashtu edhe rregullat që kanë të bëjnë me shpalljen e rezultatit, nëse duhen shpallur në qendra votimi apo në mjedise të tjera të KQZ”- deklaroi Celibashi. Versus.al

Poll