
Kryedemokrati Sali Berisha gjatë një konference për shtyp ka bërë deklarata të forta sa i takon biznesmenit të shpallur në kërkim Ergys Agasi i cili dyshohet për grup kriminal tek AKSHI.
Berisha u shpreh se i kanë mbërritur raportime se Agasi është parë me makinën e tij në Surrel duke aluduar kështu se lëviz lirshëm pavarësisht se ndaj tij ka një masë “arresti me burg”. Kreu i PD shkoi më tej teksa u shpreh i bindur se së shpejti do të hiqet edhe masa e arrestit ndaj Agasit i cili doli në dosjen e AKSHI-t si përfituesi i miliona eurove pa bërë asnjë punë konkrete.
“Së dyti, vazhdojnë qarkullimi i Ergys Agasit, i lirshëm fare, dhe sipas qytetarit dixhital, ai është parë me makinën e tij, jo në eskortën e Edi Ramës siç ka qenë përpara, por është parë në një rrugë duke shkuar në Surrel, duke u ngjitur përpjetë.
A fshihet ai në Surrel apo shkoi për një takim në Surrel, këtë nuk mund ta them. Por u them me siguri se Ergys Agasi, që së shpejti do i hiqet masa e arrestit, sepse Edi Rama me Sokol Sadushin e çliroi Agasin nga masa e arrestit si person nën hetim.
Nuk ka më masë arresti për Agasin kështu që gjithçka po shkon drejt konsolidimit të narkoregjimit dhe janë vetëm shqiptarët, qytetarët shqiptarë që do marrin fatin në duart e tyre. 22 marsi është dita e kryengritjes më të fuqishme paqësore që ka njohur Shqipëria në tërë historinë e saj. Ndaj dhe ftoj çdo shqiptar në rrugët dhe sheshet e Tiranës të tregojmë revoltën, zemërimin, përçmimin tonë ndaj këtij regjimi”- deklaroi Berisha. Versus.al

