Në seancën plenare të Kuvendit, nënkryetari i Parlamentit, Agron Gjekmarkaj, mori fjalën për të ironizuar ashpër diskutimet mbi projektligjin e propozuar nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë për performancën energjetike të ndërtesave, si edhe mënyrën se si u prezantua ai nga mazhoranca.
Gjekmarkaj u ndal veçanërisht te mungesa e ministres Belinda Balluku në seancë, duke nënvizuar se ishte Taulant Balla, ai që doli për të shpjeguar projektligjin. Kjo zgjidhje nuk iu duk aspak serioze përfaqësuesit të opozitës, i cili e cilësoi Ballën si “yzmeqar të Ministrisë së Energjetikës”.
“Për një projektligj kaq teknik dhe të ndërlikuar, ishte mëse e arsyeshme që në Kuvend të ishte vetë ministrja përgjegjëse, zonja Balluku, dhe jo një ‘delegat’ i saj,” – u shpreh Gjekmarkaj me ironi, duke shtuar se një praktikë e tillë nënvlerëson jo vetëm institucionin, por edhe vetë rëndësinë e ligjit që po diskutohet.
Më tej, ironizoi fjalimet e kolegëve socialistë. Më tej, me nota të forta satire, kërkoi ngritjen e një komisioni estetik, për të shpallur fjalimin më të bukur.
“Por, thelbi i ndërhyrjes nuk ishte ky në fakt, por dy fjalimet e zotit Balla, fjalimi i zonjës Resuli, fjalimi i zonjës Antoneta dhe fjalimi i Dilo Nasufit, të cilët meritojnë një komision estetik, do të propozoja Pastorin, njeriun e Zotit, Toni Gogun, sepse janë nivele të larta estetike dhe të shpallet Miss Fjalimi ose Miss Oratoria.
Mund t’i bëni me shkrim këto zoti Gjekmarkaj. Jua dhashë fjalën si nënkryetar parlamenti, por kjo nuk është për procedurë. Fjalimi fitues të lexohet në seancën e fundit për higjienë mendore dhe shpirtërore në shenjë respekti për deputetët”.
Ndërsa socialistët vlerësuan projektligjin si një hap të rëndësishëm për përafrimin me standardet europiane në sektorin e energjisë, opozita ngriti pikëpyetje për seriozitetin e procesit ligjvënës dhe mungesën e transparencës. /Versus.al/







