Ish-kryebashkiaku i Mallakastrës, Agron Kapllanaj pretendon se është shantazhuar me foto dhe video të tijat për të cilat deklaron se janë të modifikuara.
Në rrjetin social ‘facebook’, Kapllanaj shkruan se disa foto dhe video i janë dërguar gjatë orëve të natës nga një person i cili i ka kërkuar që t’i paguajë një shumë të caktuar parash ose në të kundërt, materialet do t’u shpërndaheshin miqve të tij.
Në postimin e bërë në rrjetet sociale, Kapllanaj shkruan se sapo të kthehet në Shqipëri do të denoncojë në polici rastin duke pretenduar se po shantazhohet me foto e video të montuara.
“Përshëndetje miq të mij! Gjate nates dikush me ka nisur një foto apo video të modifikuar ku shfaqet imazhi im! Personi qe emë nisi keto foto më ka shantazhuar se nëse nuk i paguaja nje shumë të caktuar parash do i shpërndante keto foto te miqtë e mi, dhe mesa duket e ka bërë një gjë te tille sepse une refuzova te paguaj! Une kam të ruajtur të gjithë biseden me kërcënime dhe shantazhimet e tij dhe sapo te kthehem ne Shqiperi ( sepse ndodhem jashtë vendit per momentin) do t’i referoj të gjitha prane organeve ligjzbatuese per të bërë dhe kallëzim.
Ju garantoj se ato imazhe jane te sajuara dhe nuk ka asgjë të vërtet. E mbyll me nje ndjesë për secilin qe i kanë ardhur ato imazhe me foton time! Ju uroj nje dite te mbarë!”- shkruan Kapllanaj.
Pasi u komunikua nga News24, Kapllanaj la të kuptohej se bëhet fjalë për foto intime të falsifikuara dhe se dyshonte se pas shantazhit fshihet një femër. Ai tha mes të tjerash se personi që e shantazhonte me mesazhe, i kishte kërkuar 4 mijë euro për të mos i shpërndarë fotot.
“Personi që më ka nisur fotot e modifikuara dhe i ka shpërndarë te miqtë e mi, dyshoj se është femër ka thënë Kapllanaj dhe më ka kërkuar një shumë prej 4000 eurosh. I kam thënë që nuk është kjo rruga për të kërkuar para dhe nëse do më kishte kërkuar ndihmë të sinqertë për të ndihmuar motrën e sëmurë siç pretendonte, nuk do ia kisha kursyer mbështetjen financiare. Këto imazhe të sajuara nuk më cenojnë aspak ka theksuar ish- kryebashkiaku, ndaj do t’u drejtohem organeve ligjzbatuese për të bërë kallëzim”- u shpreh Kapllanaj.
Ky është rasti i dytë që shfaqet brenda pak ditësh ku një personazh publik pretendon se po shantazhohet me materiale të falsifikuara. Të hënën, ishte kreu i PD, Gazment Bardhi ai që bëri denoncim në SPAK ku bëri me dije se një person me pseudonimin “Mbreti Zog” i kishte dërguar dokumente të falsifikuara ku thuhej se emri i tij ishte përmendur në përgjimet e ish-bossit të lojërave të fatit, Ervis Martinajt dhe krahut të djathtë të tij, Erigers Mihasit të cilit i kërkonte t’i dërgonte Bardhit shumën prej 100 mijë eurosh në zgjedhjet parlamentare të 2021-it. Versus.al









