POLITIKË /

Shehaj propozoi kandidat jopolitik për bashkinë Tiranë, Berisha: S’kam dëgjuar kurrë gjë të tillë

Berisha u shpreh dakord për kandidat të përbashkët opozitar, por theksoi se duhet të jetë personazh politik me program të caktuar.

Shkruar nga Versus
Shehaj propozoi kandidat jopolitik për bashkinë Tiranë, Berisha:
Kreu i PD Sali Berisha dhe kreu i partisë "Mundësia" Agron Shehaj

Kryedemokrati Sali Berisha ka zhvilluar konferencën e përditshme me gazetarët ku ka vijuar me denoncimin e atyre veprimeve që i konsideron flagrante në shkatërrimin e zgjedhjeve të 11 majit.

Mes të tjerave, Berisha u pyet nëse është dakord me propozimin e bërë nga Agron Shehaj, kreu i Partisë “Mundësia” i cili ka shpalosur idenë që për bashkinë e Tiranës, opozita të dalë me një kandidat të përbashkët ‘jo politik’.

Kreu i PD tha se është dakord që opozita të ketë një kandidat të përbashkët, por theksoi se duhet që të jetë politik dhe të ketë një program të caktuar.

“Për të dalë partitë opozitare më një kandidat, këtë e mbështes plotësisht. Por që të pretendohet të zgjidhet kryetari i bashkisë së kryeqytetit, një njeri jopolitik, një gjë të tillë nuk e kam dëgjuar ndonjëherë.

Sepse ai të paktën duhet të ketë një program, në të cilin çmonton të gjithë batërdinë bazuar në politikën e narkoshtetit në Tiranë. Nuk di se ç’nënkuptohet me kandidat apolitik, nuk e kam të qartë, por për një kandidat të përbashkët, plotësisht e drejtë është si sugjerim”- deklaroi Berisha.

Prej muajsh tashmë në krye të bashkisë Tiranë është Anuela Ristani, e cila ka marrë kompetencat e kryetares në detyrë që prej arrestimit të kryebashkiakut Erion Veliaj i cili akuzohet për disa vepra penale nga SPAK. Versus.al

Poll