Nëpërmjet një rrëfeimi nga Bolzano i Italisë ku kaloi një pjesë të fëmijërisë dhe më pas në Fierence ku studioi, kreu i partisë “Mundësia”, Agron Shehaj rrëfeu jetën e tij si emigrant.
Mes të tjerash, foli edhe për nismën e tij si sipërmarrës dhe më pas vështirësitë në biznes ku tha se gjëja më e vështirë në fillim ishte të kishte të ardhurat e mjaftueshme për të paguar të gjithë punonjësit.
“Nuk isha me lakun te gryka në punë, në kuptimin që çdo muaj ishte për vite të tëra, çdo muaj unë luftoja që në fund të muajit ne të kishim të ardhura për të paguar rrogat, për të paguar qiratë, për të paguar furnitorët tanë. Çlirimi i parë është në momentin që ti shikon që nuk je më obobo, si do t’ia bëjmë këtë muaj dhe ne i kemi paguar gjithmonë rrogat, kurrë nuk i kemi vonuar rrogat, kurrë sepse ky ishte meraku im më i rëndësishëm. Gjëja më e rëndësishme në biznes është këmbëngulja, të mos dorëzohesh dhe e e dyta, puna, të punosh. Të punosh do të thotë jo thjesht të rrish me orë të tëra aty, por puna do të thotë të gjesh zgjidhje sepse të bësh biznes, do të thotë të zgjidhësh probleme, nga mëngjesi deri në darkë”, tha Shehaj.
Më tej, foli edhe për pasurinë e tij, gjë që i është pyetur shpesh por asnjëherë nuk ka pasur një përgjigjie përfundimtare. Këtë herë, Shehaj dha përgjigjie konkrete duke zbuluar se pasuria e shumëpërfolur e tij arrin në dhjetëra milionë dollarë.
-Sa i pasur është sot Agron Shehaj?
Agron Shehaj: Unë e kam një përgjigje tani. Mund të them që kam një pasuri prej dhjetëra miliona eurosh.
-Ti je nga ata politikanë që ke hyrë i pasur në politikë. Mendon se përgjatë këtyre viteve politika më shumë të ka marrë në aspektin financiar?
Agron Shehaj: Unë po të mos kisha hyrë në politikë në 2017-ën, do të isha minimalisht dyfish më i pasur se ç’jam sot. Do të isha shumë më i pasur se ç’jam sot.
Ai vijon se koha që i ka dedikuar politikës prej momentit që i është përkushtuar, ka marrë një pjesë të mirë. “Unë do të isha një biznesmen shumë më i suksesshëm nëse nuk do të isha marrë me politikë në 2017-ën”, përmbyll Shehaj. Versus.al








