POLITIKË /

“Shiko ujin e pijshëm dhe pensionistët”, Rama i përgjigjet komentuesit, ironizon partitë e reja: Katranët e vegjël me qilima fluturues

Rama zgjodhi të përqendrohej tek politikat për pensionistët dhe nuk ngurroi të ironizonte partitë e reja duke thënë se ato premtojnë "qilima fluturues".

Shkruar nga Versus

“Shiko ujin e pijshëm dhe pensionistët”, Rama i

Teksa vijon me përgjigjet ndaj komentuesve që shprehin mendimet në rrjetin e tij social, kryeministri Edi Rama këtë herë ka zgjedhur të flasë sërish lidhur me pensionet.

Komentuesi i kërkoi më shumë vëmendje për furnizimin me ujë të pijshëm dhe për pensionistët.

“Të lumtë zoti kryeministër, avash avash po e rregullon Shqipërinë, por me ujin e pijshëm dhe me pensionet nuk po punon mirë. Vëri një vëmendje më të madhe këtyre dy çështjeve kryesore për popullin dhe pensionistët. Respektoji më shumë”- i shkruan komentuesi.

Rama zgjodhi të përqendrohej më shumë tek çështja e pensionistëve, duke theksuar se PS është e vetmja alternativë për ta.

“Nëse ka një qeveri që ka bërë dhe mund të bëjë akoma më shumë për pensionistët është vetëm PS. Ishte kjo qeveri që bëri reformën e pensioneve dhe mundësoi që kush ka dalë në pension 10 vitet e fundit, të ketë një pension më të madh se ata që dilnin më parë. Është kjo qeveri që u dha pensionistëve një fond prej 100 milionë eurosh bonus në fundvit dhe për herë të parë do japë atë të pranverës”- u shpreh Rama.

Ndërsa më tej nuk ngurroi të ironizonte opozitën dhe partitë e reja të cilat sipas tij premtojnë gjëra që nuk i realizojnë.

“Të tjerët, ata që s’kanë e s’do kenë asgjë në dorë që nga një katran i madh pa din e pa iman tek ca katranë të vegjël pa cipë dhe pa nishan ofrojnë për pensionistët qilima fluturues, qilima si trashëgimtarë të denjë të politikës ekonomike të Sudes dhe të Xhaferrit. Por mos ta harrojë askush ndër shumë të mira të tjera, pensionistët e para, nuk e harrojnë se kush e bëri Shqipërinë lesh e li, e dyta e dinë aritmetikën më mirë se sa “Lulat” e rinj dhe e kanë më të qartë se kushdo tjetër që ne nuk jemi më të mirët por më të mirë se ne ky vend as ka pasur, as nuk gjen dot dhe për nja 10 vjet të tjera pa diskutim”, shtoi kryeministri. Versus.al

Poll