
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ka vënë në pikëpyetje procesin e votimit të emigrantëve shqiptarë për zgjedhjet parlamentare të 2025-ës.
Të paktën këtë duket të thotë informacioni që KQZ u ka përcjellë partive politike të cilat i informon se nuk ka kohë të mjaftueshme për të pritur votën e emigrantëve pasi shërbimi postar mund të vonojë deri në 45 ditë për të ardhur.
“Të gjithë ofruesit e shërbimit postar ndërkufitar bënë me dije se koha që u duhet për dërgimin e fletëve të votimit nga Shqipëria, në adresat përkatëse të votuesve jashtë vendit, ishte 54 ditë. Koha më e shkurtër, por që do ta vinte gjithsesi në vështirësi/pasiguri procesin, është 30 ditë. Sikurse ju e dini, afatet për regjistrimin e subjekteve zgjedhore dhe kandidatëve, së bashku me kohën për prodhimin e fletëve të votimit, daton rreth 10-12 ditë përpara datës së zgjedhjeve. Në çdo rast jo më parë se 30 ditë përpara. Të gjithë operatorët, përfshi edhe atë publik, vlerësojnë se është e pamundur dërgimi i fletëve të votimit jashtë dhe kthimi i tyre në Shqipëri në një kohë më të shkurtër se 30-54 ditë. Praktikat e vendeve të tjera, ku disa prej këtyre operatorëve janë angazhuar në votimin nga jashtë, konfirmojnë afatin e dërgimit dhe të kthimit të fletëve të votimit nga jashtë, në një periudhe kohore jo me të pakët se 45 ditë”, thuhet në shkresën që KQZ ju ka dërguar partive.
Në seancën e zhvilluar nga KQZ argumentohet se janë bërë testime gjatë kësaj kohe me shqiptarë që jetojnë në Zvicër dhe Itali dhe si përfundim posta nuk ka ardhur as brenda 10 ditëve duke theksuar se KQZ ka maksimumi deri në 12 ditë kohë për të pritur votat në zarfe të ardhura me postë.
Sipas Kodit Zgjedhor, çdo votë që mbërrin me zarf pas orës 19:00 ditën e zgjedhjeve, nuk mund të pranohet. Versus.al








