Pas konferencës së katërt ndërqeveritare për negociatat e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, kryeministri Edi Rama deklaroi se integrimi europian është një zgjedhje ekzistenciale për vendin, jo vetëm një ambicie politike apo ekonomike.
Në konferencën për shtyp të mbajtur në Luksemburg, ku u çel grup-kapitulli i dytë i negociatave – “Tregu i Brendshëm” – Rama falënderoi Presidencën Polake për mbështetjen e vazhdueshme, si dhe Komisionin Europian dhe komisioneren Marta Kos për rolin udhëheqës në këtë proces.
“Jemi mirënjohës ndaj të gjitha shteteve anëtare të BE për mbështetjen e tyre. Një mënyrë kaq pa pengesa dhe duket si diçka habitëse për ne, duke pasur parasysh prej nga vijmë,” u shpreh Rama.
Duke vlerësuar punën e komisioneres Kos, ai e përshkroi si “kronometri i vendeve tona”, që mban ritmin dhe siguron ecurinë e procesit me disiplinë.
Kryeministri shtoi se është arritur një marrëveshje për një agjendë ambicioze, duke theksuar synimin që deri në vitin 2027 të gjithë grup-kapitujt e negociatave të jenë jo vetëm të hapur, por edhe të mbyllur.
“Rikonfirmoj vullnetin dhe vendosmërinë tonë për të arritur këto objektiva. Për Shqipërinë, anëtarësimi në BE është shumë më tepër se një ambicie politike apo ekonomike – është një zgjedhje ekzistenciale jete,” deklaroi Rama.
Kjo është konferenca e tretë brenda më pak se një viti ku Shqipëria shënon progres në hapjen e kapitujve të negociatave, një proces që vijon të jetë thelbësor në rrugëtimin drejt integrimit europian. /Versus.al/








