POLITIKË /

Shqipëria i jep lamtumirën e fundit Fatos Nanos: Detaje nga homzhet që do të mbahen nesër në nder të ish-kryeministrit

Shkruar nga Versus
Shqipëria i jep lamtumirën e fundit Fatos Nanos: Detaje nga homzhet
Fatos Nano

Dita e nesërme është shpallur ditë zie kombëtare në nderim të ish-kryeministrit të Shqipërisë, Fatos Nano, i cili u nda nga jeta ditën e djeshme në një spital privat në Tiranë, pas komplikacioneve të rënda shëndetësore.

Më 2 nëntor, në Pallatin e Kongreseve, do të zhvillohen homazhet zyrtare për t’i dhënë lamtumirën e fundit një prej figurave më të rëndësishme të politikës shqiptare të tranzicionit.

Ceremonia do të nisë në orën 08:30, me pritjen e qytetarëve që duan të nderojnë Nanon, ndërsa nga ora 11:15 pritet të marrin pjesë personalitete të larta të jetës politike dhe shoqërore.
Në emër të familjes, një nga të afërmit e tij do të mbajë një fjalë përshëndetëse, ndërsa do të flasë edhe kryeministri Edi Rama, pasuesi i Nanos në drejtimin e Partisë Socialiste.
Në ceremoni janë ftuar gjithashtu përfaqësues të politikës kosovare dhe miq ndërkombëtarë të ish-kryeministrit.

Në orën 12:05, me nderime shtetërore, trupi i Fatos Nanos do të përcillet nga Pallati i Kongreseve drejt varrezave të Sharrës, ku do të prehet përgjithmonë.

Më herët, në shtëpinë e tij, familja do të zhvillojë në privatësi shërbesën fetare ortodokse, në përputhje me besimin e tij dhe martesën e bekuar në Kishën Ortodokse Shqiptare.

Në respekt të kujtimit të tij, flamujt kombëtarë në të gjitha institucionet publike do të ulen në gjysmë shtizë, ndërsa në orën 12:00 do të mbahet një minutë heshtje mbarëkombëtare.

Fatos Nano, që ka shërbyer tre herë si kryeministër, do të kujtohet si një nga themeluesit e epokës postkomuniste, lider historik i së majtës shqiptare dhe një vizionar që besoi në rrugën evropiane të vendit./Versus.al

 

Poll