Bashkimi Europian ka miratuar hapin e radhës në procesin e negociatave me Shqipërinë, duke dhënë dritën jeshile për çeljen e grup-kapitullit 5, që përfshin fushat e burimeve natyrore, bujqësisë dhe kohezionit.
Lajmin e ka ndarë kryeministri Edi Rama përmes një postimi në rrjetet sociale, ku njofton se Komiteti i Përfaqësuesve të Përhershëm të Vendeve Anëtare (COREPER) ka autorizuar Presidencën Daneze të ftojë Shqipërinë për të paraqitur pozicionin e saj negociues për këtë grup-kapitull.
Ky zhvillim konsiderohet një tjetër hap përpara në rrugën e integrimit europian të vendit.
Postimi i Edi Ramës:
SHQIPËRIA NUK NDALET – Sot, më 23 korrik 2025, në vijim të progresit të vazhdueshëm e dinamik të Shqipërisë në rrugën e negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, Komiteti i Përfaqësuesve të Përhershëm të Vendeve Anëtare të Bashkimit Europian autorizoi Presidencën Daneze të ftojë Shqipërinë për të paraqitur Pozicionin e saj Negociues për negociatat lidhur me kapitujt që përbëjnë Grupkapitullin 5 “Burimet, Bujqësia dhe Kohezioni”/Versus.al







