
Paraditen e sotme kryeministri Edi Rama ka thirrur një mbledhje me të gjithë shefat e shërbimeve në Qendrën Spitalore Universitare Nënë Tereza” që ditë më parë u përfshi në një skandal, ku u zbulua se mjekë në pavionin e Onkologjisë zhvasnin pacientët me kancer duke mos i trajtuar ata siç e kishin për detyrë por duke i orientuar drejt spitaleve private.
Mbledhja do të mbahet në ambientet e QSUT, në një kohë kur janë cënuar më shumë se kurrë raportet e besimit mes mjekëve dhe pacientëve.
Për rastin e rëndë pati edhe protesta nga qytetarët para ministrisë së Shëndetësisë, të cilët u shprehën se ndihen totalisht të pasigurt kur shkojnë në spitalet publike. Ndërsa opozita në interpelancën urgjente që pati me ministren e Shëndetësisë, Albana Koçiun, kërkoi dorëheqjen e kësaj të fundit.
Në dosjen e zbardhur nga prokuroria e Tiranës, u zbulua sesi mjekët e Onkologjikut Edmond Gashi dhe Alketa Ymeri (Pere) bashkëpunonin edhe me kordinatorin e spitalit, Emiljano Lelën për të zhvatur pacientët me kancer duke mos i trajtuar këta të fundit ashtu siç e kishin për detyrim, por duke i dërguar në klinikën private të Edmond Gashit, “Megis” ku u merreshin shuma të mëdha parash duke ua paraqitur gjendjen më të rëndë nga sa ishte. Mjeku Edmond Gashi u la në arrest shtëpie, ndërsa menjëherë pasi doli nga gjykata shkoi në lokal duke e thyer masën e sigurisë. Për këtë shkelje nisi edhe një tjetër procedim ndaj tij. Ndërsa Halil Gashi dhe farmacisti Florian Marku, po ashtu u lanë në “Arrest shtëpie”. Mjekja Alketa Pere, zv.drejtoresha e QSUT Brikena Qirjazi dhe koordinatori Emiljano Lela, u lanë në masën e sigurisë “Detyrim paraqitje”.
Versus.al publikoi më herët një artikull ekskluziv ku mjeku Ardian Hoti i cili ishte dorëhequr nga spitali Onkologjik, tregon sesi e kishte denoncuar skandalin me pajisjen e kobaltit për trajtimin e kancerit, pajisje që nuk ishte vënë në punë. Ai tregon se pavarësisht denoncimeve të tij, për rrezikun që i kanosej edhe punonjësve nga rrezatimi i kësaj pajisje, ankesat e tij nuk morën asnjë përgjigjie dhe u detyrua të dorëhiqej nga spitali të cilit i kishte kushtuar shumë vite punë në shërbim të qytetarëve. Versus.al








