
Ministrja e Shëndetësisë, Albana Koçiu ka marrë pjesë në takimin që kryeministri Edi Rama thirri sot me shefat e shërbimit në QSUT pas skandalit të zbuluar në spitalin Onkologjik.
Gjatë fjalës së saj, ajo tha se do të bëhen ndryshime në Ligjin për Urdhrin e Mjekut, që detyrimi i deklarimit për punësimin në klinika private të mjekëve të punësuar edhe në sektorin publik, gjë për të cilën duhet të marrin autorizim nga ministria.
“Ata individë të gjykohen me zero tolerancë dhe të marrin ndëshkimin e merituar. Kam folur me shumë nga ju këtu dhe e kam ndjerë deri në palcë plagosjen e rëndë morale për atë neveri. Shumica juaj nuk janë si ata. Në vetë spitalin Onkologjik ka mjekë të përkushtuar që punojnë çdo ditë dhe nuk e meritojnë njollën e zezë që ua vunë kolegët e tyre të paskrupujt. Ne duhet të marrim masa konkrete dhe të reagojmë menjëherë për të mos patur më vend për praktika të tilla abuzive. Kemi punuar për disa ndryshime të shpejta në ligjin për Urdhrin e Mjekut. Mjekët e punësuar në sektorin public që kanë hapur apo punojnë në klinika private, duhet të marrim autorizim apo leje nga drejtuesi i spitalit, gjë që do i njoftohet edhe ministrisë”- u shpreh Koçiu.
Ndër të tjera, ajo tha se nuk do të lejohet më që mjekë të cilët kanë pozicione drejtuese në spitalin publik, të kenë apo të jenë të punësuar në klinika private. Ministrja nënvizoi se pas kalimit të ndryshimeve në ligjin për Urdhrin e Mjekut, të gjithë ata mjekë të cilët shkelnin betimin e Hipokratit duke shkaktuar pasoja të rënda tek pacientët, do të ndëshkoheshin me heqje të licensës për një periudhë afatgjatë deri në heqjen e të drejtës së ushtrimit të profesionit për gjithë jetën.
Mjekët që kanë hapur ose punojnë në klinika private, nuk do mund të mbajnë asnjë post drejtues në spitalet publike apo në universitetet e mjekësisë. Historia e transferimit të pacientëve në klinikat private, do të përfundojë sapo të kalojë ky ligj.
“Shkelja e rregullit që drejtuesit publikë nuk mund të kenë klnika private dhe nuk mund të punojnë në to, do mund të çojë deri në përfundimin e aktivitetit për të dyja palët. Mos deklarimi i lejes për punësim në privat do çojë deri në heqjen e licensës. Shkelja e premtimit të “Hipokratit” do të çojë gjithashtu deri në heqje të licensës për afate domethënëse. Individët që njollosin institucionit duke shkelur çdo normë, do u ndalohet ta veshin bluzën e bardhë gjatë gjithë jetës ”- shtoi ministrja. Versus.al








