Sot në orën 10:00, Kolegji Zgjedhor do të nisë seancën ku do të shqyrtojë ankimin e Partisë Demokratike e cila ka kërkuar mosnjohjen e rezultatit të zgjedhjeve parlamentare të 11 majit.
Sipas PD, procesi zgjedhor është shoqëruar me parregullsi dhe shkelje të rënda ligjore. Relatorja e seancës do të jetë Luffije Celami, me anëtarë Entela Shedulën, Alma Kodraliun, Ornela Naqellari dhe Enkel Pezën.
Më 28 gusht, komisioni rregullator certifikoi zgjedhjet e 11 majit, ndërsa PD nuk u pajtua me këtë vendim. Që pas përfundimit të zgjedhjeve dhe shpalljes së rezultatit, demokratët kanë pretenduar për “farsë zgjedhore” duke hedhur akuza për përfshirje të grupeve kriminale në zgjedhje dhe të administraës publike.
Zgjedhjet e 11 majit nxorën fituese Partinë Socialiste me 83 mandate deputetësh, duke i dhënë kështu Edi Ramës mandatin e katërt qeverisës radhazi. Pas ankimeve të PD për shkelje në procesin e numërimit, pati rinumërim në disa qarqe, por kjo gjë nuk solli asgjë në favor të demokratëve. Versus.al







