
Në një dalje publike, presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka folur për vrasjet e 21-janarit, ku sipas tij përgjegjësia kryesore i takon Lulzim Bashës, ish-Ministër i Brendshëm i asaj kohe.
Meta tha se Basha ka qenë paralajmëruar me letër njoftim për vrasjet e 21-janarit, por nuk ndërmori asnjë hap për t’i parandaluar ato, dhe se nuk angazhoi asnjë forcë policore të vepronte.
Ndërkohë si frymëzues dhe nxitës, kryesor presidenti i PL cilëson Edi Ramën.
“Sipas regjisë së Edi Ramës, rihapet çështja e 21 janarit dhe së pari, gjen ditën sot për të mbuluar Dumanin dhe së dyti, SPAK kërkon të mbajë nën presion liderin e PD-së, Sali Berishën dhe opozitën e vërtetë, ndaj regjimit të narkotrafikantit Edi Rama”, tha Meta.
Ai shtoi gjithashtu se nuk befasohen më nga SPAK dhe abuzimi i strukturës me detyrën.
“SPAK ka letrën që Erion Veliaj duhet të ishte arrestruar para 4 vjetësh. Edi Rama gjithashtu duhet të ishte arrestuar për lëshimin e shkresave boshe dhe inceneratorët” tha Ilir Meta.
Së fundmi ai e quajti presion të drejtpërdrejtë nga SPAK rihapjen e kësaj çështje./ Versus.al








