POLITIKË /

Stafit të SPAK dhe GJKKO iu rrezikua jeta, Bardhi për mosveprimin e policisë: Hoxha gënjeu, u bë grusht shteti

Shkruar nga Versus
Stafit të SPAK dhe GJKKO iu rrezikua jeta, Bardhi për mosveprimin e
Gazment Bardhi dhe Ervin Hoxha

Kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi ka reaguar lidhur me shkresën që SPAK dhe GJKKO i kanë dërguar ministrisë së Brendshme ku i kërkojnë shpjegime mbi arsyen e mosveprimit të policisë gjatë kohës që mbështetësit e Veliajt rrethuan godinën.

Në postimin e bërë në rrjetin social “facebook”, Bardhi shkruan se ky mosveprim bën përgjegjës kryeministrin Edi Rama duke e cilësuar këtë si grusht shteti ndaj pushtetit gjyqësor. Ndërsa shprehet se ministri i Brendshëm Ervin Hoxha keqinformoi Kuvendin mbi mungesën e reagimit të policisë.

Reagimi i plotë i Bardhit:

Ministri i Brendshëm gënjeu dje publikisht dhe keqinformoi Kuvendin e Shqipërisë lidhur me mosveprimin e Policisë së Shtetit ndaj tentativës mafioze të drejtorëve batakçi të Bashkisë së Tiranës për të intimiduar fizikisht në krye të detyrës gjyqtarët dhe prokurorët e posaçëm. Ky mashtrim institucional dhe publik i Ministrit të Brendshëm provon edhe autorësinë e urdhrit politik për të penguar drejtësinë që të mbajë përgjegjës para ligjit cilido, pavarësisht statusit të tij.

Erion Veliaj nuk është mbi ligjin. Ai është mik e bashkëpunëtor i afërt i Edi Ramës, por ky i fundit nuk mund të keqpërdorë shtetin dhe Policinë e Shtetit për ti ardhur në ndihmë një personi që hetohet për korrupsion dhe pastrim parash. Edi Rama mund të zgjedhë të jetë avokat i Erion Veliajt, por këtë duhet ta bëjë privatisht, jo duke keqpërdorur institucionet e shtetit.

Mosveprimi i Policisë së Shtetit, që sipas GJKKO dhe SPAK, ka vënë në rrezik jetën dhe shëndetin e gjyqtarëve, prokurorëve dhe stafit administrativ, në krye të detyrës, nuk mund të kalojë në heshtje.

Ministri i Brendshëm dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit duhet të shkarkohen menjëherë nga detyra dhe të ndiqen penalisht.

E kundërta, mosveprimi i Edi Ramës, e bën atë jo vetëm drejtpërdrejt përgjegjës për situatën, por është edhe një grusht shteti i pushtetit ekzekutiv ndaj pushtetit gjyqësor, duke zbatuar parimin mafioz se nëse gjykata e prokuroria dënon e heton pa leje, atëherë do jenë të vetëm e pa mbrojtjen e shtetit. Kjo nuk do të ishte thjesht e paprecedentë, por KRIMINALE! Versus.al

Poll
Më poshtë do të gjeni dhe kandidatët e Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike për të gjitha qarqet: