
Në komisionin për Çështjet e Brendshme dhe të Mbrojtjes, u zhvillua sot seancë dëgjimore e kërkuar nga deputetët e opozitës për të pyetur ministren e Brendshme, Albana Koçiun mbi situatën e sigurisë publike në vend dhe masat e ndërmarra nga dikasteri që ajo drejton.
Mes pyetjeve të bëra ishin edhe ato lidhur me përgjegjësinë mbi ngjarjet e ndodhura 2 javë më parë në vend ku brenda 24 orësh u shënuan 3 vrasje me thikë dhe një plagosje. Ministrja u përgjigj duke thënë se ngjarjet nuk kishin qenë vrasje mafioze ku policia të mund të kishte ndonjë rol.
Madje me ironi tha se efektivët e policisë nuk mund të jenë edhe në kuzhinë për të parandaluar krimet, duke iu referuar ngjarjeve ku djali në Durrës vrau me thikë babain dhe në Tiranë ku picieri vrau kuzhinierin pas konfliktit në vendin e punës.
“Për fat të keq janë ngjarje të pashmangshme nga puna që bën përditë policia e shtetit. Nuk besoj se ka ndonjë vend të botës për të parandaluar që djali të godasë babain me thikën e bukës, apo ndonjë vend të botës ku polici rri në kuzhinë për të ndaluar picierin të vrasë kuzhinierin.
Janë ngjarje tragjike, por nuk implikohet puna e policisë së shtetit. Patjetër që autorët u kapën menjëherë pas ngjarjes së ndodhur. Ne kemi një rekord të ngjarjeve të mundshme kriminale të evidentuara si rezultat i rritjes së patrullimeve të policisë së shtetit”- u shpreh Albana Koçiu duke mos dhënë një drejtim konkret se ku duhet të shihet përgjegjësia për një situatë të tillë ku ndodhet shoqëria shqiptare. Versus.al

