
Në një fjalim që zgjati mbi një orë para grupit parlamentar të Partisë Socialiste, kryeministri Edi Rama theksoi se ish-zv.kryeministrja Belinda Balluku do të përballet me gjyqësorin vetëm me ndihmën e avokatëve të saj, pa ndërhyrje politike.
Rama falënderoi Ballukun për drejtimin e Ministrisë së Infrastrukturës gjatë gjashtë viteve të fundit dhe nënvizoi se kërkesa e SPAK për arrestimin e saj nuk mbështetet në prova të mjaftueshme.
Ai shtoi se duhet marrë parasysh edhe fakti që Balluku është prind i vetëm i një vajze të vogël.
Kryeministri gjithashtu komentoi pretendimet e prokurorisë për kërcënim ndaj dëshmitares, duke i cilësuar si të pabazuara dhe duke zbuluar detaje nga hetimi.
Ai mbylli fjalimin me një kërkim falje ndaj Ballukut për mospranimin e tre kërkesave të saj për dorëheqje dhe riktheu theksin te roli i avokatëve në mbrojtjen e saj ligjore: “Në betejën ligjore për të cilën do të ketë në krah vetëm avokatët e saj”, tha Rama.
'E falënderoj Belindën për punën e madhe që bëri në detyrat që i besova për 6 vjet me radhë dhe i uroj fatin që meriton, cilido qoftë fati që Meriton, në betejën ligjore për të cilën do të ketë në krah vetëm avokatët e saj. I kërkoj ndjesë për refuzimet e përsëritura të të 3 dorëheqjeve të veta të cilat pavarësisht interesit të saj apo edhe pikëpamjes së disa shokëve këtu për të lehtësuar presionin mbi të apo mbi ne. I kam refuzuar sepse gjyqësori u kuturis pa ose me dashje, këtë do ta mësojmë dhe të jeni të sigurtë që po e mësova do tua tregoj, u kuturis në territorin e pavarësisë së pushteti të pavarur ekzekutiv dhe legjislativ. Pushteti këtu buron nga vota e popullit dhe kjo do të jetë e patolerueshme sa të jem unë në këtë detyrë.' tha Rama. /Versus.al

