Kryetari i Partisë Social Demokrate (PSD), Tom Doshi, gjatë prezantimit të kandidatëve të kësaj force politike në qarkun e Korçës për zgjedhjet vendore të 11 majit, deklaroi se synimi i PSD është të fitojë një mandat në këtë zonë. Ai u shpreh se partia që përfaqëson nuk ka si qëllim të sjellë në pushtet Sali Berishën apo Partinë Demokratike.
Gjatë fjalës së tij, Doshi nuk i kurseu kritikat ndaj Partisë Socialiste, megjithëse konfirmoi se PSD do të vazhdojë bashkëpunimin me të. Ai tha se nuk është i kënaqur me mënyrën se si PS po sillet me qytetarët, jo vetëm në Korçë, por në të gjithë vendin.
“Ne do të vazhdojmë të bashkëpunojmë me PS-në, por nuk më pëlqen sjellja e tyre me qytetarët, si këtu në Korçë, ashtu edhe në të gjithë Shqipërinë. Ka presione për vende pune, ndaj fermerëve e bizneseve. Kjo nuk është e pranueshme,” tha Doshi.
Ai u ndal veçanërisht te situata e fermerëve në zonën e Korçës dhe Maliqit, të cilët, sipas tij, janë braktisur nga institucionet dhe nuk po kanë më mundësi të eksportojnë produktet e tyre.
Duke prezantuar programin e PSD-së, Doshi theksoi se kjo forcë politike është afër shtresave në nevojë dhe atyre që janë lënë në harresë nga qeveritë përgjatë tri dekadave.
“Ne jemi partia që i bashkon votuesit, si të majtë, ashtu edhe të djathtë. Nuk jemi këtu për të ndihmuar Berishën të vijë në pushtet, por për të siguruar mandatin tonë si PSD. Nuk kemi ardhur të prishim punën e PS-së, por të fitojmë me forcat tona,” u shpreh Doshi.
Ai i bëri thirrje edhe atyre që punojnë në administratë dhe ndihen të presionuar psikologjikisht për të mbështetur një forcë të caktuar politike, që të reagojnë përmes votës.
“Nuk është europiane të ushtrosh presion mbi njerëzit për të votuar. Ne kemi lënë pas komunizmin,” shtoi ai. Versus.al








