
Teksa u ndal në situatën ku ndodhet vendi dhe akuzat ndaj qeverisë së tij, kryeministri Edi Rama përmendi edhe raportin e Këshillit të Evropës ku ngrihen shqetësimet për numrin e lartë të personave të paraburgosurve në Shqipëri.
Ai tha se akuzat ku pretendohet se Shqipëria ka arritur kulmin e korrupsionit janë tymnajë e gënjeshtërt, ndërsa nënvizoi se BE ka nxjerrë një direktivë ku kërkon të rishikohet klasifikimi i shpërdorimit të detyrës si vepër penale.
“Këshilli i Evropës thotë që në Shqipëri vendosen masa sigurimi ekstreme pa arsyetim të mirëfilltë dhe përdoren rëndomtë për prishje provash dhe rrezik për ikje. Këto janë muhabete kot, çdo lloj mase duhet specifikuar, nuk është specifike. Nuk mund të thuhet se meqe Muhamed Veliu është shef sektori, atëherë ky mund të intimidojë vartësit e vetë. nuk japin asnjë të dhënë, zero. Vijmë tek graviteti i veprës, dua t’ju jap prapë shifra që janë të vërteta nuk janë gjysmë të vërteta. Për t’ju treguar juve sesa e gënjeshtërt është e gjithë kjo tymnajë sipas së cilës Shqipëria ka arritur kulmin e korrupsionit.
Po I referohem rasteve të institucioneve që merren me korrupsion. Çdokush që akuzohet dhe hetohet nga prokuroria speciale ka bërë korrupsion. Ka edhe vepra të tjera. Shpërdorimi i detyrës është një vepër të cilës iu kthye edhe vetë BE sepse është një term ku futen njerëzit kollaj fare sidomos kur jeton në një periudhë ku të gjitha llojet e tenxhereve hidhen përpjetë për burg, burg burg. BE ka nxjerrë një direktivë të re për ta riparë këtë nocion sepse kushtetuta thotë janë tre pushtete të pavarur nga njëri tjetri. Pra drejtësia është e pavarur nga ekzekutivi, por edhe ekzekutivi është i pavarur nga drejtësia”- tha Rama.
Ndërsa shtoi në vazhdim se nuk mundet që një prokuror të kërkojë llogari për një vendim të marrë nga ekzekutivi përveçse në rastet kur ka sjellë një dëm.
"Tek marrja e vendimeve nuk vjen dot një prokuror të thotë përse ti nuk e vendose kështu dhe nuk e vendose ashtu. Kjo është një katastrofë dhe kjo gjë ka ndodhur. Nëse vendimi im ka një prapavijë të qëllimshme apo për të sjellë një dëm në mënyrë të vetëdijshme, këtu ndahen”- deklaroi kreu i qeverisë. Versus.al



