
Irini Shehu, ish-drejtoresha e Spitalit të Dibrës e cila u shkarkua pasi dhunoi shefin e Financës, duket se është angazhuar fuqishëm në fushatën e Partisë Socialiste në qarkun verilindor.
Gjatë bashkëbisedimit që kryeministri Edi Rama po zhvillonte mëngjesin e sotëm me qytetarët në rrjetet sociale, mes komentuesve, ka qenë edhe ish-drejtoresha e cila është shprehur e entuziazmuar për zgjedhjet e 11 majit duke thënë me bindje të plotë se PS do të marrë plot 4 mandate deputeti.
Duke mos i kursyer “lavdet’ për Blendi Klosin drejtuesin politik të PS në këtë qark, Shehu thotë se Dibra do jetë surpriza e zgjedhjeve të 11 majit, duke u lënë forcave kundërshtare vetëm 1 mandat deputeti.
“Qarku Dibër do të jetë surpriza e këtyre zgjedhjeve. Me super drejtuesin politik Blendi Klosi, do të vijë në parlamentin e ri me 4 mandate deputeti! 4:1”- shkruan ish-drejtoresha në komentin e saj.

Ngjarja për të cilën Irini Shehu u shkarkua ndodhi të martën e 11 shkurtit. Pas një debati që kishte pasur me shefin e Financës, Shaban Ukalën, përplasja është zhvendosur në zyrën e këtij të fundit ku ish-drejtoresha e ka goditur me shishe në fytyrë duke i shkaktuar dëmtime.
Pas kësaj, Ukala bëri denoncim në polici. Ndërkohë në postin e lënë bosh nga Shehu, u emërua Ruzhdi Deda i cili më parë ka mbajtur postin e zv.kryebashkiakut të Peshkopisë. Irini Shehu është njëkohësisht dhe Kryetare e Këshillit Bashkiak në Dibër, e zgjedhur nën siglën e PS-së, ndërsa në 2021 kishte kandiduar per PD-në. Versus.al








