Kryeministri Edi Rama gjatë kritikave që ka bërë gjatë ditës së sotme ndaj institucioneve të drejtësisë sa i takon arrestimit të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj tregoi edhe një rast të intimidimit të njërit prej dëshmitarëve.
Duke mos e zbuluar emrin, Rama tha se dëshmitari ishte marrë në pyetje me metoda të ngjashme me ato të kohës së sigurimit të shtetit.
Rama e cilësoi si të papranueshëm mënyrën e pyetjes së dëshmitarëve nga SPAK dhe tha se ishte ndjerë i pafuqishëm kur dëshmitari i rrëfente mënyrën sesi ishte pyetur.
“Janë intimiduar njerëz, i kam takuar unë. Kam folur unë me ta, dhe përse? Kur s’kishin asnjë lidhje me Erionin. Për shkak se janë njerëz në botën e artit dhe kulturës dhe dikush më kanë thënë se filani është në gjendje të rëndë psikologjike. E kam kërkuar, e njoh kush është, është një personalitet. Ia kishin marrë telefonin dhe nuk ia kishin kthyer më. Ku jemi këtu ne? E mora në telefonin e gruas dhe dëgjova një grua që vetëm qante. Dhe pastaj jam takuar me personin. Po ju them që mua personalisht më ka ardhur turp kur kam menduar që sot unë jam kryeministër dhe ndihem i pafuqishëm karshi një rasti apo personi që më ka kujtuar veten time. Unë u shokova psikologjikisht kur më morën e më çuan te Myslym Keta. Ma thoni dot ju mua si mund të merret në rrugë një baba që është duke çuar fëmijën me karrocë në kopësht?
“Hajde me ne” i kanë thënë. Ku jemi këtu ne?! I vetmi lajm ngushëllues është që pavarësia është e plotë, mirëpo këto janë shenja që abuzimi me pavarësinë është real. Si mund të merret një prind me fëmijën 3 vjeç në karrocë dhe t’i thuhet hajde me ne”- deklaroi Rama. Versus.al







