POLITIKË /

Urdhri i “Kushtetueses” për mandatin e Xhaçkës, Çuçi: Votojmë si të na thotë mendja, s'na detyron dot

I ashpër ishte Bledi Çuçi sa i takon pyetjes për mandatin e Olta Xhaçkës duke deklaruar se Gjykata Kushtetuese nuk i detyron dot deputetët ta çojnë për shqyrtim mandatin e socialistes.

Shkruar nga Versus
Urdhri i “Kushtetueses” për mandatin e Xhaçkës,
Çuçi në konferencë me gazetarët

Kreu i grupit parlamentar të PS, Bledi Çuçi i pyetur për urdhrin e Gjykatës Kushtetuese për të dërguar në seancë shqyrtimin e mandatit të Olta Xhaçkës si deputete, tha se deputetët nuk mund të detyrohen për këtë gjë dhe se secili prej tyre voton në mënyrë të pavarur.

Ai tha se në këtë mënyrë Gjykata Kushtetuese po tenton të krijojë një praktikë të re ligjore, të cilën sipas tij nuk ia lejon kushtetuta.

“Çështja e raportit të Kuvendit më GJK është raport që e përcakton qartë Kushtetuta. Gjykata ka fuqinë të shfuqizojë çdo akt të marrë nga Kuvendi nëse e gjykon se është në kundërshtim me kushtetutën dhe është ajo interpretuesja e fundit e Kushtetutës. Ka pasur vendim që ka shfuqizuar dy vendime të marrë nga Kuvendi dhe Kuvendi as nuk e diskutoi këtë vendim por i shfuqizoi .Në rastin konkret është krijuar një paqartësi lidhur me faktin nëse do duhet që një deputet apo të gjithë duhet të votojnë në një formë të caktuar të detyruar jo nga vullneti i deleguar nga zgjedhësit apo jo. Ky është debat që nuk ka gjetur trajtim as nga vendimi i GJK. Në gjykimin tonë Kushtetuesja ka tentuar të krijojë normë të re kushtetuese, gjë që nuk ia lejon kushtetuta. Sepse ajo vetëm verifikon nëse normat ekzistuese janë në përputhje. Fakti që një vendim i caktuar në momentin që vjen në Parlament për t;u votuar, vullneti është krejtësisht i sovranit, pra i deputetit që ka një pavarësi për të votuar si ta gjykojë. Madje Kushtetuta thotë që deputeti nuk mban as përgjegjësi për votën e tij. Në asnjë rast nuk mund t’i imponohet deputetit sesi të votojë. Do votoj si të ma dojë mendja mua, ma lejon kushtetuta.”- tha Çuçi.

Gjatë konferencës për gazetarët, Çuçi foli edhe për ligjet e kaluara gjatë këtij sesioni parlamentar duke vënë theksin tek Ligji për Zonat e Mbrojtura, gjë që sipas tij jep mundësinë e ruajtjes së këtyre zonave por edhe të modernizimit të tyre. Ai foli gjithashtu edhe për ndryshimet në Kodin Zgjedhor dhe votën e diasporës. Versus.al

Poll
Më poshtë do të gjeni dhe kandidatët e Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike për të gjitha qarqet: