POLITIKË /

Veliaj drejt shkarkimit / Socialistët nisin procedurat për largimin e tij, ja ç'ndodh të marten e 23 shtatorit

“Tirana nuk pret më”, mesazhi i qartë i Ramës ndez motorët për shkarkimin e Erion Veliajt. PS merr në dorë fatin e kryeqytetit dhe rrëzon pengesat politike.

Shkruar nga Versus

Veliaj drejt shkarkimit / Socialistët nisin procedurat për largimin e

Të martën, më 23 shtator, Këshilli Bashkiak i Tiranës pritet të mblidhet për të hedhur hapin që prej kohësh pritej: nisjen zyrtare të procedurave për shkarkimin e Erion Veliajt nga detyra e kryetarit të Bashkisë së Tiranës.

Këshilltarët socialistë, në një mbledhje të zhvilluar në selinë e PS-së, vendosën t’i japin fund ngërçit institucional duke marrë vetë iniciativën, pa iu referuar më kërkesës së opozitës. Kjo është një lëvizje e qartë politike: PS nuk pranon të jetë më spektatore e krizës së zgjatur në kryeqytet, ndërsa qytetarët presin zgjidhje dhe angazhim konkret.

Referuar pikës c të nenit 62 të Ligjit për Vetëqeverisjen Vendore, një kryetar bashkie që mungon për më shumë se tre muaj rresht nga detyra, mund të shkarkohet nga Këshilli Bashkiak. Erion Veliaj ndodhet në paraburgim që prej 10 shkurtit 2025, ndërsa Bashkia e Tiranës ka funksionuar në vakum drejtimi, me përgjegjësi të papërcaktuara dhe pa vendimmarrje të qartë.

Pas kësaj mbledhjeje, që pritet të finalizojë kërkesën për shkarkim, 'topi' kalon te Këshilli i Ministrave, i cili duhet të vendosë për shkarkimin formal të kryebashkiakut. Në përputhje me ligjin, Veliaj ka të drejtën të ankimojë vendimin brenda 15 ditësh në Gjykatën Kushtetuese — por me situatën aktuale, ky është më shumë një akt formal sesa një pengesë reale për vazhdimin e procesit.

Kjo lëvizje vjen pas një deklarate të drejtpërdrejtë nga kryeministri Edi Rama, në Asamblenë Kombëtare të PS-së, ku ai theksoi se Tirana nuk mund të rrijë peng i asnjë situate, dhe se zvarritja duhet të marrë fund. Rama jo vetëm që dha sinjalin për të nisur procesin e shkarkimit, por hodhi edhe emrin e propozuar për ta pasuar Veliajn: Ogerta Manastirliu, një figurë e njohur dhe e besuar në radhët e socialistëve.

Poll