Kryeministri Edi Rama e ka nisur sot fjalën e tij në Asamblenë e PS duke folur për nevojën e organizimit të strukturave të PS për të mbajtur zgjedhjet e parakohshme për bashkinë e Tiranës.
Ai tha se PS nuk do të ndërhyjë në punët e pushtetit gjyqësor edhe kur goditen njerëzit e saj me pushtet.
“Do na duhet të adresojmë këtu emergjencën e krijuar në drejtimin e Tiranës për arsyen e ditur botërisht. Nuk mban më, ama duhet të them që në fillim sa më qartë atë që besoj duhet të ndajmë të gjithë së bashku mbi çështjen e drejtësisë dhe raportin tonë me të. Ne PS nuk kemi hyrë në asnjë rast në meritën e një çështje të drejtësisë, aq më tepër kur drejtësia nuk e ka thënë deri në fund fjalën e saj. nuk e kemi bërë dhe nuk do ta bëjmë asnjëherë duke bërë avokatin e kujtdo, ndër njerëzit e kësaj familje të madhe politike edhe kur mund të mos na duket e drejtë. Nuk kemi patur dhe nuk do kemi përsa kohë unë do jem në krye, asnjë pendesë për lirinë dhe pavarësinë që i kemi dhënë drejtësisë me reformën në drejtësi dhe mbi të gjitha me tërheqjen historike të pushtetit të shumicës nga fusha e pushtetit gjyqësor.
Përmes reformës kemi larguar duart e ekzekutivit nga çdo proces seleksionimi, zgjedhjeje, apo shkarkimi prokurorësh apo gjykatës. Po ashtu nga çdo forme kontrolli mbi aktivitetin e tyre. Ia kemi lënë pushtetit gjyqësor të qeverisë vetë punët e veta.
Kush flet për kapje, kontroll apo ushtrim të pushtetit të drejtësisë nga ana jonë, me urdhra nga lart, ose nuk di çfarë flet ose nuk do të pranojë të vërtetën shumë të madhe të një ndryshimi që në historinë e këtij vendi do të shënohet si epokal për një vend ku kurrë nuk ka patur pavarësi të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Ne do të durojmë të gjitha dhimbjet e këtij procesi historik pavarësimi të drejtësisë. Qoftë kur ato vijnë nga rënia e atyre mes nesh në mëkatin e përfitimit të paligjshëm apo nga helmi i atyre të tjerëve që na akuzojnë se kemi kapur këtë drejtësi e cila për herë të parë në historinë e vendit po godet njerëz me pushtet politik”- u shpreh Rama në hyrje të fjalimit të tij para anëtarëve të Asamblesë. Versus.al







