
Deputeti socialist Jurgis Çyrbja ka mbërritur në ambientet e Prokurorisë së Posaçme i shoqëruar nga avokatja e tij, një ditë pasi dorëzoi mandatin e ligjvënësit.
“Mirëmëngjesi, jeni mirë ju?”- ky ka qenë komenti i vetëm që deputeti ka pasur për gazetarët pasi më herët kishte pretenduar se dorëzimi i mandatit të tij lidhej me një ndërhyrje shëndetësore që do të kryente dhe jo me probleme ligjore.
Burime për Versus.al bëjnë me dije se sot pritet që Çyrbjas t’i komunikohet akuza nga SPAK për kallëzimin e bërë nga deputeti demokrat Edi Paloka i cili në 2021-in denoncoi se Çyrbja në prag të zgjedhjeve parlamentare, shpërndante legalizime në Kadastrën e Durrësit edhe pse nuk mbante më postin e drejtorit të Hipotekës. Po ashtu emri i deputetit socialist dyshohet se është përmendur në një dosje tepër të rëndë. Versus.al








